Lajme

Si e rriti Ministria e Financave “tinëz” tatimin në pronë


Ish-ministri i Financave Haki Shatri

Në kohën kur çmimet e produkteve janë ngritur dukshëm e inflacioni nuk ka qenë kurrë më i lartë në Kosovë, Ministria e Financave vendosi “tinëz” që qytetarëve të ua dyfishojë çmimin e tatimit në pronë.

Ky vendim ngjalli reagime të shumta të martën, derisa ministri Hekuran Murati, theksoi se “Ministria s’ka marrë vendim për të rritur tatimin, shkallët tatimore i caktojnë komunat”, në anën tjetër Asociacioni i Komunave e mohoi një gjë të tillë.

Kush i dyfishoi faturat?

Për ish-ministrin e Financave, Haki Shatrin, këtë vendim e merr Ministria e Financave.

Shatri ka shpjeguar për Albanian Post se si merret vendimi për rritje të çmimit të tatimit në pronë.

“Sipas ligjit, Ministria e Financave nxjerr akte nënligjore, pra udhëzim administrativ me të cilin përcakton standardet unike të përcaktimit të vlerës së pronës. Në ligji thuhet komunat e përcaktojnë vlerën e tregut të pronës në baze të standardeve të pacaktuara nga Ministria e Financave”, thotë Shatri.

Sipas tij, tatimi në pronë përcaktohet nga dy faktorë dhe rivlerësimi i vlerës së tregut të pronës bëhet në çdo 3-5 vjet.

“Vlera e tregut të pronës dhe koeficienti i tatimit. Vlerën e tregut te pronës e përcakton departamenti i tatimit të pronës i cili është në kuadër të Ministrisë së Financave. Koeficienti i tatimit në pronë përcaktohet sipas kategorive të lartcekura të pronës. Koeficienti i tatimit në pronën rezidenciale, shtëpi banimi dhe banesa sipas ligjit të lartcekur është 0.15 për qind deri në 1 për qind të vlerës së tregut të pronës”, tregon Shatri.

“Nga vlera e tregut te pronës për këtë kategori zbriten 10.000 euro dhe mbetja tatimohet me koeficientin te cilin e caktojnë komunat për territorin e vet, pra nga 0.15  për qind – 1 për qind të vlerës së tregut”.

Si u veprua ne këtë rast?

Profesori i ekonomisë ka theksuar për AP se Ministria e Financave ka angazhuar ekspert për të ndihmuar në rivlerësimin e vlerës së tregut të pronave, por potencon se “rekomandimet e eksperteve nuk janë marrë në konsiderim”.

“Nuk janë marr në konsiderim as rekomandimet dhe vlerësimet e komunave. Vlerësimi është bërë nga Departamenti i Tatimit në Pronë dhe Ministria. Ministri i Financave dhe atë në bazë të një kriteri jo parimor, duke u bazuar në vlerën individuale të pronës dhe duke përcaktuar vlerën e përgjithshme të pronave në zonë.

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës konsideron që rritja e fakturës së tatimit në pronë në situatën aktuale ekonomike ka qenë e paarsyeshme dhe e panevojshme.

“E rëndon gjendjen sociale të qytetarëve në situatën kur nuk është përshtatë rritja e pagave me inflacionin dhe shtrenjtimin e kostos se jetës”.

“Ky vendim është skandaloz edhe për faktin se kjo qeveri ka mbyll në trezor te bankës disa qindra miliona euro të fondit të investimeve kapitale duke i zhvlerësuar apo përgjysmuar vlerën e atyre fondeve, kurse nga ana tjetër me buxhetin për vitin 2023 e ka rritur fondin e mallrave dhe shërbime për 40 për qind, pra luksin qeveritar”.

Dyfishimi i tatimit të pronave – Ekonomistët thonë se qeveritarët po sillen si “profiterë të krizës së çmimeve”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore