Shqipëria

Si do të votohet për Kryesinë e re të PD-së?


Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar në orën 11:00, ku do t’i jepet fund edhe konceptit të Komisionit të Rithemelimit, pas votimit që do të bëhet për Kryesinë e re, e cila pritet të jetë ngjarja finalizueze e riformatimit të forcës së djathtë politike.

Fjalën hapëse, në bazë të agjendës të mbledhjes, pritet ta mbajë kreu i rizgjedhur i demokratëve, Sali Berisha dhe më pas do të marrë drejtimin e mbledhjes kryetari po i rizgjedhur i Keshillit Kombëtar, Edi Paloka.

Votimi pritet të nisë menjëherë pas kësaj hapjeje, ku çdo anëtar i Këshillit Kombëtar pritet të firmosë manualisht dhe elektronikisht për praninë në mbledhje.

Numërimi i votave më pas, do të jetë elektronik.

Procesi, siç është reklamuar nga struktura e të djathtëve, pritet të jetë transparent, ku do të shfaqen në ekran në kohë reale votimet.

Kështu, do të mësohen edhe emrat fitues të anëtarëve të rinj të Kryesisë.

Në garim janë 47 kandidatura, pas miratimit të listës në mbledhjen e zhvilluar dje nga Komisioni i Rithemelimit.

Në sy bien emra të spikatur të PD-së ndër vite, me rikthimin e Jozefina Topallit, Arben Imamit, Genc Pollos, apo edhe emra të rinj si Agron Shehaj, Belind Këlliçi e Floriana Garo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore