Lajme

Si do ta ndryshojnë botën makinat autonome?


Premtimi i teknologjisë së makinave pa shofer ka qenë prej kohësh joshës.

Ndryshe, perceptohet si çelësi për të ndihmuar njerëzit të ndërtojnë qytetet e së ardhmes, ku marrëdhënia me makinat ripërcaktohet duke ulur emetimet e karbonit dhe duke hapur rrugën për mënyra më të qëndrueshme jetese.

Dhe kjo mund ta bëjë udhëtimin më të sigurt, zbulon agjencia e lajmeve “BBC”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se më shumë se 1.3 milionë njerëz vdesin çdo vit si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor.

“Duam rrugë më të sigurta dhe më pak viktima. Automatizimi në fund të fundit mund ta sigurojë këtë”, ka thënë Camilla Fowler, drejtuese e transportit të automatizuar për Laboratorin e Kërkimeve të Transportit në Mbretërinë e Bashkuar (TRL).

Por në mënyrë që teknologjia pa shofer të bëhet e zakonshme, ende duhet të ndryshojë.

“Mjetet pa shofer duhet të jenë një mënyrë shumë e qetë për të shkuar nga pika A në B. Por jo çdo shofer njerëzor rreth tyre do të sillet në atë mënyrë”, ka thënë David Hynd, shkencëtari kryesor për sigurinë dhe hetimet në TRL.

Ai ka vijuar se një makinë e tillë “duhet të jetë në gjendje të përballet me shoferët njerëzorë që ecin me shpejtësi ose që thyejnë rregullat”.

Dhe kjo nuk është sfida e vetme.

Nevojitet rregullimi, ri-konceptimi i kodit rrugor, perceptimi publik, përmirësimi i infrastrukturës së rrugëve, qyteteve dhe çështja e madhe e përgjegjësisë për aksidentet rrugore.

“E gjithë industria e sigurimeve po shqyrton se si do ta trajtojnë atë ndryshim nga një person që është përgjegjës, te automjeti që e bën këtë”, ka treguar Richard Jinks, nënkryetar në kompaninë e software-it të automjeteve pa shofer me bazë në Oxfordshire, Oxbotica.

Kjo e fundit, shkruan “BBC”, ka testuar teknologjinë e saj në makina dhe automjete shpërndarjeje në disa lokacione në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë.

Vizioni përfundimtar për ekspertët mbetet krijimi i automjeteve plotësisht pa shofer, si brenda industrisë, ashtu edhe rrjete më të gjera transporti dhe makina për përdorim personal, që mund të vendosen dhe përdoren kudo nëpër botë.

Por me gjithë këto pengesa, çfarë parashikojnë 10 vitet e ardhshme për automjetet autonome?

Pas dy vjetësh

Pengesa më e madhe për ekspertët në industrinë e teknologjisë pa shofer është se si t’i bëjnë makinat të funksionojnë në mënyrë të sigurt dhe efektive në mjedise komplekse dhe të paparashikueshme.

Kështu që, thyerja e kësaj pjese të enigmës do të jetë fokusi kryesor i dy viteve të ardhshme.

Në objektin e testit Mcity në Universitetin e Miçiganit, ekspertët po e trajtojnë këtë.

Territori i parë i testimit në botë i ndërtuar me qëllim për automjetet autonome është një lloj mini-qyteti, i përbërë nga 16 hektarë infrastrukturë rrugore dhe trafiku.

Këtu, ekspertët testojnë skenarë që edhe shoferët më me përvojë mund të jenë të detyruar t’i trajtojnë, nga fëmijët që luajnë në rrugë deri te dy makina që përpiqen të bashkohen në një kryqëzim në të njëjtën kohë.

“Testimi i teknologjisë pa shofer, varet nga qindra variabla të ndryshëm në çdo situatë të caktuar”, ka sqaruar Necmiye Ozay, profesoreshë e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike në Universitetin e Michigan-it.

Zgjidhja për të arritur në përfundime efikase duket se është marrja e këndvështrimeve të ndryshme, dallon “BBC”.

“Po përpiqemi të sjellim njerëz nga pjesë të ndryshme të universitetit sepse ka shumë këndvështrime për këtë problem, duke u përpjekur për të zgjidhur çështjen e sigurisë”, ka thënë  Ozay.

Në objekt, Ozay dhe ekipi i saj mund të testojnë skenarë të ndryshëm trafiku, si dhe të eksplorojnë se si automjetet autonome komunikojnë me njëra-tjetrën, por i mbajnë automjetet dhe të dhënat personale të sigurta nga hacker-at.

Pas pesë vjetësh

Teksa Apple[-i synon të nxjerrë makina elektrike plotësisht vetë-drejtuese pas katër vjetësh, ekspertët e industrisë janë më të kujdesshëm në lidhje me atë që sjell e ardhmja e afërt.

Sipas Fowler, biseda rreth rregullimit dhe rolit të ri të kompanive të sigurimit brenda kësaj hapësire transporti duhet të maturohet.

“Nëse mund të keni automjete që vetë-drejtohen, madje që janë plotësisht të automatizuara, e nëse keni dikë që ka nevojë ta kontrollojë atë automjet në atë mjedis me rrezik të lartë, atëherë kjo është në rregull”, ka thënë Fowler.

Në pesë vitet e ardhshme, shumica e teknologjive pa shofer do të mbeten prapa skenave.

Ndërkaq, TRL-ja po heton potencialin për kamionë pa shofer në autostrada, duke përfshirë idenë e grumbullimit të automjeteve.

Ato janë një grup mjetesh gjysmë autonome që lëvizin në një distancë të afërt midis njëra-tjetrës, duke ndaluar mjetet e tjera që t’i ndajnë ato, tregon “BBC”.

Duke vozitur më afër njëra-tjetrës, automjetet mund të jenë më efikase në karburant duke përfituar nga rrëshqitja e kamionit përpara, duke ndihmuar në reduktimin e mbipopullimit pasi do të zënë më pak hapësirë ​​të përgjithshme në rrugë.

Larg këtyre industrive, Ozay ka parashikuar se “ndoshta do të shohim automjete më të lehta robotike që mund të përdorin trotuare dhe shtigje biçikletash me shpejtësi të kufizuar për të ofruar gjëra të tilla si ushqime dhe sende ushqimore”.

Pas shtatë vjetësh

Të gjithë ekspertët pajtohen se shtatë vitet e ardhshme do të varen nga sukseset dhe dështimet e dislokimeve fillestare dhe nga mënyra se si siguria dhe besimi i publikut evoluojnë në përputhje me rrethanat.

Megjithatë, shumica shpresojnë se ridizajnimi i qytetit do të mundësojë adoptimin më të madh të teknologjisë dhe do të na ndihmojë të lëvizim drejt mënyrave moderne dhe më efikase të jetesës.

Pa makina të parkuara në rrugë, rrugët mund të jenë më të ngushta, duke i hapur rrugë më shumë hapësirave të gjelbra. Por teksa përkrahësit e automjeteve vetë-drejtuese këmbëngulin se do t’i bëjnë rrugët më të sigurta, ka disa që ndjejnë të kundërtën.

Sipas tyre, qytetet dhe mënyra se si i përdorim ato mund të kenë nevojë të ri-konceptohet.

Diçka ka nisur.

Në vitin 2018, IKEA zhvilloi një koncept automjet autonom që mund të dyfishohet si sallë takimesh, hotel dhe dyqan.

Ndikimi që do të kishte ky lloj inovacioni është reduktimi i kërkesës për udhëtim, duke ofruar në vend të kësaj mjedise të këmbyeshme në momentin që kemi nevojë për to.

Kështu që, nevojat e njerëzve mund të plotësohen pikërisht aty ku ndodhen.

Pas dhjetë vjetësh

Për 10 vitet që vijnë, shkruan “BBC”, ekspertët janë në dilema nëse do të ketë në rrugë vetëm automjete autonome.

Hynd ka thënë se automatizimi i plotë nuk ka gjasa të ndodhë në këtë shkallë kohore.

“Me çdo infrastrukturë transporti, çdo gjë që përdor shoqëria, shumë gjëra të tjera duhet të hyjnë në lojë. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për rregullimin”, ka theksuar ai.

Siguria do të jetë një pengesë e madhe, veçanërisht për vendet më të ngadalta për të miratuar ndryshimin për shkak të kostove të mëdha të përfshira.

Sipas Hynd, infrastruktura do të diktojë gjithashtu se sa shpejt mund të përhapet kjo teknologji dhe perceptimi e gatishmëria e publikut për të përdorur automjete autonome do të duhet të rritet.

Kurse Jinks është i bindur se do të shohim automjete autonome në rrugë në të njëjtën kohë me automjetet e drejtuara nga njerëzit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore