Shqipëria

Shumica e fëmijëve të zhdukur – viktima të trafikimit në MB – rezultojnë djem shqiptarë


Në Mbretërinë e Bashkuar, qindra viktima të trafikimit janë zhdukur pasi janë referuar në skemën e qeverisë për t’u mbrojtur.

Dhe shumica e fëmijëve që u zhdukën ishin djem shqiptarë

Lajmi vjen pasi ministri i Imigracionit, Robert Jenrick, pranoi në janar se që nga viti 2021 rreth 200 fëmijë azilkërkues ishin zhdukur nga hotelet ku ata kishin qenë nën kujdesin e Home Office dhe kontraktorëve.

“The Guardian” ka marrë të dhëna nga Home Office, të cilat zbulojnë se 566 viktima të mundshme ose të konfirmuara të trafikimit janë kategorizuar si “të zhdukura” midis viteve 2020 dhe 2022 pasi iu referuan mekanizmit kombëtar të referimit (NRM), i cili është krijuar për t’u ofruar viktimave siguri dhe mbështetje.

Numri më i lartë ishte 258 viktima në vitin 2022, nga 232 në vitin 2021 dhe 76 në vitin 2020. Shumica e fëmijëve që u zhdukën ishin djem shqiptarë dhe shumica e të rriturve të zhdukur ishin burra vietnamezë.

Ndërkohë, organizatat që mbrojnë viktimat e trafikimit kanë shprehur shqetësime rreth të dhënave.

Maya Esslemont, drejtoresha e After Exploitation, i ka bërë thirrje Zyrës së Brendshme që të hetojë urgjentisht se çfarë ka ndodhur me qindra viktimat që ishin zhdukur.

“Është tepër shqetësuese që një numër kaq i konsiderueshëm viktimash po rrëshqasin përmes sistemeve të mbështetjes”, ka thënë ajo.

“Këto të dhëna tregojnë një rrezik real të ritrafikimit në Mbretërinë e Bashkuar, madje edhe mes njerëzve që raportojnë skllavërinë moderne dhe bëjnë hapa drejt rimëkëmbjes”, ka vijuar ajo.

Sipas Esslemont, roli i kontrollit në skllavërinë moderne nuk mund të mbivlerësohet dhe shumë viktima do të kenë frikë nga pasojat e trafikantëve të tyre për shumë muaj ose vite pas shfrytëzimit pasi kanë frikë nga dëmtimi i tyre ose i të dashurve nëse nuk qëndrojnë në kontakt me trafikantët e tyre.

“Qeveria duhet të hetojë urgjentisht këto raste në mënyrë që të kuptojë se cilët faktorë i kanë lënë të mbijetuarit vulnerabël ndaj daljes nga procesi. Është jetike që vetë MKR të financohet plotësisht dhe që çdo i mbijetuar që ka nevojë për strehim të sigurt, mbështetje psikologjike dhe financiare për të shmangur ritrafikimin, të jetë në gjendje të aksesojë atë.”

Kathy Betterridge, drejtoresha e anti-trafikimit për Salvation Army, e cila ka një kontratë me Home Office për t’u kujdesur për viktimat e trafikimit, ka thënë se “bandat kriminale përdorin një sërë teknikash për të futur njerëzit në skllavërinë moderne, e cila përfshijnë dhunën dhe kërcënimet ndaj familjes së viktimës”.

“Punonjësit tanë mbështetës shpjegojnë realitetin se sa të sigurt janë të mbijetuarit në shërbimin tonë mbështetës, por ne nuk mund të garantojmë sigurinë e familjeve të tyre dhe për disa njerëz frika është shumë e fortë”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, shumica e njerëzve që arratisen janë shtetas vietnamezë dhe kjo duket se lidhet me nivelet ekstreme të abuzimit psikologjik që ata i nënshtrohen nga trafikantët e tyre.

“Kur arrijnë në shërbimet tona, ata janë veçanërisht të kujdesshëm ndaj autoriteteve dhe të shqetësuar për kërcënimet ndaj familjeve të tyre”, ka treguar ajo.

Kohët e fundit, organizatat bamirëse kanë paralajmëruar se të mbijetuarit e skllavërisë moderne mund të lihen në rrezik të ritrafikimit brenda Mbretërisë së Bashkuar për shkak të mungesës së burimeve për t’i mbështetur ata.

Burimet e Home Office kanë nxjerrë se numrat e munguar ishin vetëm një përqindje e vogël e 35 mijë e 827 personave të referuar në NRM gjatë kësaj periudhe.

“Ne jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur viktimat e vërteta të skllavërisë moderne. Individëve që ne i konsiderojmë si viktima të mundshme të skllavërisë moderne u sigurohet mbështetja e duhur, duke përfshirë akomodimin”, ka thënë një zëdhënës i Home Office.

Sipas zëdhënësit, ka shumë arsye që njerëzit mund të largohen nga akomodimi i siguruar për ta, dhe është dëshmi e mbështetjes udhëheqëse botërore që Mbretëria e Bashkuar ofron që kaq pak nga ata që vendosen në atë strehim e bëjnë këtë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore