Shqipëria

Shumë sisteme në pak zgjedhje


“Është e mjaftueshme që njerëzit të dinë se zgjedhjet janë mbajtur. Ata që hedhin fletët në kuti, nuk vendosin asgjë. Ata që numërojnë, vendosin gjithçka”.

Joseph Stalin, në Shqipërinë e pas demokracisë, nuk ka pasur ndikim në rrjedhën socio-politike të vendit. Gjithsesi, kjo shprehje e tij, përshkruan një sistem të tërë, ndoshta, të zgjedhjeve shqiptare në 20 vitet e fundit.

Dy dekada të ashtuquajtura tranzitore, të cilat nuk njohin dy palë zgjedhje me tipare të njëjta. Sistemet, në ndryshim të vazhdueshëm, herë konceptual e herë demografik, kanë krijuar gjithnjë diskutime të sferave private e publike.

Shqipëria, në pesë zgjedhje, ka ndryshuar dy herë konceptin e përzgjedhjes së ligjvënësve. Dy herë të tjera, dinamika demografike që kanë përcaktuar jo pak.

Si kanë ndryshuar sistemet zgjedhore në Shqipëri?

Hapi i parë i mirë, është fakti që Shqipëria nuk e ka ndryshuar në këto dy dekada të fundit numrin e ligjvënësve. Pra, të zgjedhur, janë gjithnjë 140 deputetë.

Në vitin 2001, një formulë mikse e prezantuar për herë të parë në vitin 1997, u përcaktua si sistemi zgjedhor i duhur. Kjo formulë parashikonte përzgjedhjen e 100 anëtarëve me shumicë votash në zonat zgjedhore me një anëtar dhe 40 të zgjedhur nëpërmjet një sistemi përfaqësimi proporcional.

Praktikisht, një mazhoritar i miksuar me proporcionalin kombëtar.

Sistemi mazhoritar parashikon kandidimin e dy ose më shumë garuesve, nga subjekte të ndryshme politike ose të pavarur, të cilët kandidojnë si emra të përveçëm. Pra, individë, nën siglën e një partie.

Ai proporcional nga ana tjetër, parashikon votimin për subjekte të ndryshme politike. Më pas, në bazë të përqindjeve që subjektet ose aleancat marrin, caktohet edhe numri i mandateve të fituara.

Për shkak të dinamikës, më shumë se dy kandidatë mund të garonin në një zonë të caktuar. Kjo, do të kishte si pasojë kalimin në dy raunde zgjedhore. Në mbi gjysmën e zonave, asnjë kandidat nuk do të kalonte pragun e nevojshëm prej 50% të votave.

Në zgjedhjet e vitit 2005, sistemi në dukje do të mbetej i njëjtë, por disa ndryshime do të përcaktonin dinamika të tjera. 100 deputetë do të përzgjidheshin në mazhoritar dhe 40 në proporcional.

Mirëpo, falë disa marrëveshjeve parazgjedhore, parti më të vogla do të merrnin një numër të lartë deputetesh. Votat e mazhoritarit do të cilësoheshin si të ndara nga proporcionali. Kjo do të bënte që partitë e mëdha të fitonin ulëse vetëm në garimin me kandidatë direkt. Proporcionali do t’u takonte “të vegjëlve”.

Proporcionali rajonal i mbyllur

Viti 2009 do të sillte një ndryshim radikal të sistemit zgjedhor. Kalimi do të ishte tërësor drejt një proporcionali rajonal me lista të mbyllura.

Votat do të ndaheshin në 12 qarqe, të cilat në vetvete gruponin disa bashki të rretheve të ndryshme. Koalicionet parazgjedhore do të ishin të lejuara, si një metodë për të maksimizuar votën.

Ulëset në Kuvend do të përcaktoheshin sipas popullsisë së qarqeve përkatëse. Ato me më shumë banorë, do të kishin sigurisht më shumë përfaqësues.

Nëse një koalicion arrinte të siguronte 71 deputetë, atëherë merrte drejtimin e vendit. Për të përcaktuar përfaqësimin, pragu i kalueshmërisë së një partie do të ishte 3%. Ai për koalicionet nga ana tjetër, 5%.

Procesi lejonte edhe formimin e koalicioneve paszgjedhore.

E njëjta formulë do të përdorej edhe në vitin 2013. Do të ruhej jo vetëm i njëjti sistem, por edhe e njëjta shpërndarje mandatesh.

Në 2017-ën ndërkaq, do të kishim ndryshimin e parë të mandateve falë përcaktimit demografik të ri të zonave.

Tiranës do t’i shtoheshin dy mandate dhe Durrësit një. Nga një mandat do të shkurtohej për Korçën, Beratin dhe Kukësin. Shtimi i popullsisë në kryeqytet dhe ulja në tre vendet e tjera do të shtynte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të merrte këtë vendim për rishpërndarje mandatesh.

Jemi në vitin 2021

Viti 2021 do të shohë sërish të njëjtin sistem zgjedhor proporcional rajonal. Tre detaje, ndryshojnë thelbësisht situatën.

Fillimisht, ka sërish një rishpërndarje mandatesh. Tirana fiton dy mandate të tjera për shkak të demografisë. Kukësi dhe Gjirokastra janë qarqet që humbin nga një mandat.

Detaji i dytë është ai i listave pjesërisht të hapura. Jo më pak se dy të tretat e listave të subjekteve politike duhet të jenë të hapura. Kështu e përcakton kodi i ri zgjedhor. Kjo do t’u japë mundësi votuesve të zgjedhin edhe emrin përkatës për të cilin duan të votojnë.

Praktikisht, nuk do të votohet më thjesht për partinë, por edhe më konkretisht për garuesin. Gjithsesi, në mënyrë që të zgjidhet, kandidati duhet të kalojë i vetëm pragun zgjedhor të një mandati.

Detaji i tretë, më i rëndësishmi ndoshta, është ai i moslejimit të koalicioneve parazgjedhore. Nëse dy ose më shumë subjekte dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje bashkë, atëherë ato duhet të paraqesin një listë të vetme zgjedhore.

Përndryshe, ato duhet të garojnë të vetme dhe më pas të krijojnë koalicione paszgjedhore.

Pra, në 2021-shin, do të kemi një lloj shkrirje të proporcionalit dhe mazhoritarit. Jo në aspektin e zonave zgjedhore, por në atë të qarqeve zgjedhore.

Këto janë zgjedhjet e katërta që aplikohet konceptualisht i njëjti sistem, me ndryshim të disa detajeve.

Nuk ka një vit të vetëm gjithsesi, që të mos ketë pasur ndryshime në kodin elektoral apo ndërhyrje të drejtpërdrejta në sistem.

Shqipëria, një vend me shumë ndryshime, në pak zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore