Lajme

Shukri Jashari: Më së largu të mërkurën caktohet masa e sigurisë për të ndaluarit e Shtërpcës


Komuna e Shtërpcës

Ish kryetarit të Komunë së Shtërpce, Bratislav Nikoliç, Drejtorit të Urbanizmit, disa zyrtarëve të tjerë të komunë së Shtërpcës e pronarëve të kompanive të ndërtimit, u është caktuar masa e ndalimit, për 48 orë nga Policia e Kosovës.

“Pastaj përgatitet kërkesa e caktimit të masës së paraburgimit”, ka treguar për Albanian Post, Shukri Jashari, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Kërkesa bëhet nga Prokurori i rastit dhe më së largu nesër në mëngjes ai duhet ta dorëzoj kërkesën për caktim të masës së sigurisë, paraburgim”, ka specifikuar më tej Jashari.

“Nuk e di saktë nëse masa e paraburgimit do të caktohet për të gjithë të ndaluarit e sotëm. Varësisht nga vepra penale me të cilën janë ngarkuar nga Prokurori do tu caktohet edhe masa e sigurisë”, ka treguar Jashari.

Aksioni i Policisë së Kosovës, më saktësisht Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka filluar në orët e hershme të mëngjesit dhe ka përfunduar rreth orës 13:00 të ditës së martë.

Në këtë aksion u bastisën 11 lokacione dhe u ndaluan 10 persona.

Të ndaluarit e policisë dyshohet e kryen veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, njofton prokuroria Themelore e Ferizajt.

Këto vepra penale dyshohet se kanë të bëjnë me ndërtimet në rajonin e Brezovicës.

Brezovica

Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur “për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviç, ka lëshuar një deklaratë për shtyp ku aksionin policor anti-korrupsion në Komunën e Shtërpcës në Republikën e Kosovës, e quajti “terrorizim i ri nga Albin Kurti”.

Petar Petkoviç Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur “për Kosovën” në Serbi

“Aksioni i sotëm policor me forca të armatosura speciale në disa fshatra serbe ku arrestuan serbë, është vetëm se një përpjekje tjetër brutale për të frikësuar popullin serb, dhe terrorizim i ri nga Albin Kurti”, shprehet ky zyrtar fiktiv serb.

Petkoviç supozon se Shtërpca është nën bllokadë, dhe se “njerëzve u është pamundësuar të kryejnë punët bazike ditore”.

“Nën mbulesën dhe pretekstin e luftës kundër korrupsiponit, Albin Kurti, përsëri dërgon forcat speciale ROSU me marsh të plotë lufte, me qëllimin e vetëm që t’i kriminalizojë serbët, të cilët kanë mbetur fortesë e mbrojtjes të interesit tonë kombëtar në provincë”, deklaron Petar Petkoviç.

Petkoviç hodhi vrerë mbi Kryeministrin e Kosovës, siç rëndon bën, dhe shprehet se “asnjë veprim i tij nuk do të thyej unitetin dhe rezistencën serbe të trupëzuar në Listën Serbe”.

“Ne do të bëjmë qëndresë pavarësisht këtyre”, shprehet i sigurt ai.

“Ky aksion nuk është gjë e rastit të ketë ndodhur sot, kur Presidenti Aleksandër Vuçiç supozohet të nënshkruajë gjashtë marrëveshje të rëndësishme përmes Ballkanit të Hapur”, vazhdon të supozojë ai.

Lista Serbe ka “dënuar” aksionin kundër korrupsiuonit të Policisë Kosovës në Komunën e Shtërpcës, të cilën e quajtës “brutal dhe përdorim të skajshëm të forcës”.

Kryetari i Listës Serbe, Goram Rakiç

Siç thuhet në një deklaratë të lëshuar për media nga kjo Parti serbe, “policia ka ndaluar lëvizjen, hyrjen dhe daljen nga Komuna e Shtërpcës, në mesin e të cilëve ka pasur prej atyre që është dashur të shkojnë në institucione shëndetësore për trajtim mjekësor”.

“Nëse i marrim si shembul aksione të ngjashme që natyrisht së kryhen rrallë në zona shqiptare, në ato situata hyrja dhe dalja nuk bllokohen, shtëpitë familjare nuk bezdisen”, ka shkruar Lista Serbe transmeton Kosovo-online.

“E tëra kjo na jep të drejtë të ngrisim zërat ndaj brutalitetit dhe dëshmimit të forcës në komunat me shumicë serbe dhe të kërkojmë që këtyre provokimeve që kërcënojnë paqes dhe qetësinë e qytetarëve t’u vie fundi”, përfundon deklarat e kësaj partie serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore