Lajme

Shtyrja e vendimit për targat për 10 muaj, Kurti: S’do ishte dorëzim i imi, por pranimi që Kosova është e dështuar


Albin Kurti

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pranimi i kërkesës së të deleguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për shtyrje të vendimit për targat për të paktën 10 muaj, nuk do të ishte dorëzim i tij, por do të ishte pranim që shteti i Kosovës ka dështuar.

Kjo pasi që sipas Kurtit, kur argumentohej se pse duhet bërë shtyrja për 10 muaj apo 12 muaj, ishte përmendur si arsye mos-informimi i plotë i serbëve.

“Mendoj që ka qenë informim i mjaftueshëm aq më tepër që e shtyjmë për një muaj e morën vesh të gjithë”, ka thënë Kurti.

Arsyeja e dytë, sipas Kurtit, ishte për shkak të efikasitetit të shtetit të Kosovës.

“Thanë që nuk e dimë që shteti i Kosovës është i aftë që mijëra vetura me targa KM, PR t’i konvertojë shpejtë, as kjo s’është e vërtet veturat i transformonin targat shumë shpejtë”.

“Po të thosha unë shtyrje 10 muaj nuk do të ishte dorëzim i imi si kryeministër, por do të ishte pranim që shteti i Kosovës ka dështuar, e unë këtë nuk mund ta pranojë. Shteti i Kosovës i konverton shpejtë targat”.

Më tej Kurti, ka bërë të ditur se propozimi i Bashkimit Evropian me mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e dialogut, nuk është merre ose leje.

“Unë atë e kam konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të, nuk më pëlqen mua gjithçka aty, ka shumë çka që duhet të diskutohet. Ama ajo që nuk e kam pranuar asnjëherë gjatë bisedimeve me Serbinë është që nga 33 marrëveshjet e kaluara ta përzgjedhin si një tryezë suedeze pikërisht Asociacionin”.

Kurti: S’është e vërtetë që në Veri të Kosovës s’ka policë, dialogun s’e kam prioritet 

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është e vërtet që në Veri të Kosovës nuk ka zyrtarë policorë të cilët janë në krye të detyrës.

Deklarata e tij ka ardhur pas kritikave të shumta se në Veri të Kosovës, kemi një vakum institucional, pasi Lista Serbe me 5 nëntor vendosi t’i braktisë institucionet qendrore të Kosovës, e serbët Policinë, Gjyqësorin, Prokurorinë, Doganën.

Përkundrazi, sipas shefit të ekzekutivit asnjë ndërtes i Policisë së Kosovës në Veri të vendit nuk është pa policë.

“Nuk është e vërtet që në Veri të Kosovës nuk ka polici në krejt ndërtesat e ki policinë e Kosovës, nuk ka ndertës të policisë pa policë, pra policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka polic të Kosovës”, ka deklaruar Kurti në Kuvendin e Kosovës ku po zhvillohet interpelancë ndaj tij.

Për këtë arsye Kurti ka kërkuar që opozita të mos përhap dezinformata “se kinse policia na paska shkuar”.

“Ne nuk ndërtojmë rrugë me para të buxhetit të Kosovës, e aty të mos shkojë Policia e Kosovës, ato janë rrugë të Republikës së Kosovës me buxhetin e Republikës së Kosovës edhe ato rrugë shërbejnë për patrullim të Policisë së Kosovës e cila është aktive dhe e angazhuar atje”.

Kurti si arritje e ka cilësuar edhe vizitat e kabinetit të tij në Veri të vendit.

“Dhe për herë të parë kemi vizita të ministrave në Veri në mbikëqyrjen e punimeve që kryhen, xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Elbert Krasniqi, Faton Peci kanë qenë në Veri të Kosovës, në Veri kam qenë edhe unë”.

“Jo vetëm kaq për herë të parë ka filluar patrullimi i rregullt me barka në liqenin e Ujmanit, na kanë sulmuar njëherë mirëpo patrullimi vazhdon”.

“Policia e Kosovës është e pandalshme s’ka kush e ndal Policinë e Kosovës”.

“Dialogun s’e kam prioritet”  

Rreth akuzave të opozitës se fokusi kryesor i Kurtit është vetëm në dialog, kreu i ekzekutivit e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai ka thënë se fokusi i tij është edhe në fusha të tjera.

“Së pari sa i përket vëllimit kohor që bëjë dialogu nuk është prioritet numër një as prioriteti numër dy njësoj siç e kam thënë para një viti. Pra, nëse shikoni se sa orë të punës si kryeministër merrem me dialog nuk është 3 të parat prioritet dhe për këtë gjë është e vërtetë që e kam edhe një zëvendës, pra nuk ka ndryshuar”.

Ai tutje ka thënë se nuk mund të paragjykohet vetëm nga ato që paraqiten në media.

“Vëllimi kohor dhe përkushtimi im nuk është ajo çka shihet do e mos në lajmet televizive, atje mund të duket që vazhdimisht është dialogu, por në punën time të përditshme nuk është ashtu”.

Kurti, sërish ka theksuar se janë të përkushtuar për marrëveshje finale.

“Është e vërtetë që duam ne marrëveshje finale dhe po them ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme sepse na nevojitet një marrëveshje sipas Konventës të Vjenës është ligjërisht e obligueshme. Është e vërtetë që ne e kemi kundërshtuar dialogun dikur, por e kemi kundërshtuar për çfarë ka qenë ai dialog, ka qenë dialog joparimor me Kosovën më shumë temë sesa palë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore