Sport

Shtyhet sërish ndeshja Juventus-Napoli, merret vendimi edhe për Lazio-Torino


Sfida në mes të Juventusit dhe Napolit, që nuk u zhvillua në fillim të tetorit, për shkak të bllokimit të udhëtimit të klubit të Napolit drejt Torinos, u vendos që të luhej më 17 mars, por është shtyrë sërish.

Vendimin e ka marrë pasditen e së premtes, Liga e Serie A, që njofton se me kërkesë të vetë klubeve, është pranuar shtyrja e ndeshjes nga e mërkura e 17 marsit, në atë të 7 prillit, sërish në orën 18:45.

Ndërkohë, Gjykata Sportive ka marrë vendimin edhe për ndeshjen Lazio-Torino, që nuk u zhvillua mesjavën e kaluar, pasi klubi torinez ishte në karantinim të detyruar dhe nuk udhëtoi drejt kryeqytetit.

Ekipi i Lazios dhe arbitrat dolën në fushë sipas rregullores, pasi Liga nuk miratoi shtyrjen e ndeshjes, por tani Gjykata Sportive ka vendosur që sfida të luhet në një datë tjetër dhe nuk ka pranuar t’u japë fitoren 3:0 në tavolinë bardhekaltërve.

Ndryshe nga ndeshja Juventus-Napoli, ku Gjykata Sportive u dha fitoren 3:0 në tavolinë bardhezinjve dhe u rrëzua më pas në Kolegjin e Garancive Sportive, këtë herë urdhëroi menjëherë Ligën e Serisë A, që të gjejë një datë tjetër për zhvillimin e ndeshjes.

Gjasat janë që edhe sfida mes Lazios e Torinos të luhet të mërkurën e 7 prillit, në të njëjtën ditë me Juventus-Napoli, pasi kryeqytetasit janë me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve dhe pritet të jenë të lirë në atë datë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore