Shqipëria

Shtyhet seanca për ekstradimin e “spiunes” ruse Svetlana Timofeeva


Gjykata e Elbasanit ka shtyrë të enjten e 2 shkurtit seancën për shqyrtimin e ekstradimit të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.

Kjo e fundit, akuzohet për spiunazh dhe marrje të paligjshme të informacionit që përbën sekret shtetëror në Uzinën e Gramshit.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e prokurorit Mustafa Turku, i cili thuhet se ka probleme shëndetësore.

Prokuroria e Elbasanit dorëzoi më 12 janar në Gjykatën e Shkallës së Parë kërkesën zyrtare të autoriteteve ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases Svetlana Timofeeva.

Timofeeva nga ana e saj ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin drejt Rusisë.

Kujtojmë që pesë muaj më parë foto-blogerja ruse u shpall në listën e kërkimit ndërkombëtar nga ana e autoriteteve ruse.

Ka qenë gjykata e distriktit Meshchansky e cila ka dhënë masën e arrestit në mungesë të ruses.

“Sipas vendimit të Gjykatës së Qarkut Meshchansky të qytetit të Moskës, kundër të akuzuarës Timofeeva Svetlana Valerievna u zgjodh në mungesë një masë e ndalimit në formën e paraburgimit për një periudhë prej dy muajsh nga momenti i ndalimit të saj në territorin e Federatës Ruse ose nga momenti i transferimit të saj në agjencitë e zbatimit të ligjit të Federatës Ruse në rast ekstradimi ose dëbimi në territorin e Federatës Ruse”, tha bashkëbiseduesi i agjencisë TASS.

Më 20 mars u dha masa për të dhe ukrainasin nga Gjykata e Apelit të Durrësit duke i lënë në burg dy shtetasit.

Mundësia e ekstradimit të fotografes ruse nga Shqipëria dhe precedentët e agjentëve GRU

Çfarë ndodhi në Gramsh dhe cilat janë dyshimet?

Një ngjarje e rëndë e ndodhur në Uzinën Ushtarake të Gramshit rroku vëmendjen e gjithë opinionit publik të shtunën e 20 gushtit, kur dy ushtarakë shqiptarë, në turnin e rojës, u konfliktuan me një shtetas rus, i cili kishte kaluar rrethimin, po fotografonte zonën dhe i sulmoi ushtarët me një agjend neuroparalizues.

Pavarësisht kësaj, rusi u neutralizua në vend, teksa dy persona të tjerë, një shtetase ruse dhe një shtetas ukrainas, u kapën duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të tre personat, janë nën akuzë për spiunazh në Shqipëri tashmë dhe detaje të tjera nga ngjarja janë bërë publike.

Sipas dëshmive të para, ata kanë pretenduar se janë bloggerë dhe fotografojnë vende të braktisura.

Mirëpo kjo alibi, është hedhur poshtë nga hetimet, pasi bëhet me dije se ardhja e tyre në Shqipëri, u bë në kohë të ndryshme. Po ashtu, pas identifikimit të shtetasve rusë, u bë edhe identifikimi i shtetasit ukrainas.

Ky i fundit, quhet Fjodor Mihaljov dhe gjendej në Shqipëri prej tre javësh. Ai kishte qëndruar kryesisht në Tiranë gjatë kësaj kohe, në shtëpi me qera ditore.

Nga ana tjetër, shtetësja ruse, e identifikuar si Svetlana Timofoeva, kishte vetëm tre ditë që kishte mbërritur në Shqipëri.

Atyre u janë sekuestruar disa mjete nga makina me të cilën po udhëtonin, ku përfshihen edhe dronë, telefona celularë, aparate fotografike etj..

Shtetasit tjetër rus ndërkaq, i cili u përlesh me efektivët e ushtrisë dhe u identifikua si Mikhail Zotin, iu sekuestrua një aparat fotografik, i cili mendohet se është mjet i sofistikuar spiunazhi, pas kontrollit paraprak të çipave.

Për të tre këta persona, dyshimet janë shumë të forta se bëjnë pjesë në forcat ruse të GRU-së dhe janë spiunë profesionistë, me mision të parapërcaktuar në Shqipëri.

Nuk dihen ende detaje se pse pikërisht Uzina e Gramshit atyre u interesonte veçanërisht, duke qenë se ajo prej kohësh nuk kryen funksion.

Në ngjarje është përfshirë menjëherë drejtoria e Antiterrorit, për të zbardhur plotësisht çdo detaj.

Nëse vërtetohet se ata realisht janë pjesë e GRU-së, atëherë ngjarja mund të trajtohet në përmasa edhe më të mëdha, mbi të gjitha në kontekstin e fundit kur gjendemi në kushtet e një lufte që po zhvillohet në Ukrainë nga ana e Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore