Lajme

Shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës


Kryesia e Kuvendit. të Kosovës

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë të mbahej gjatë të hënës së tetë nëntorit, është shtyrë.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin nga zyra e Kuvendit të Kosovës, ku nuk tregohet arsyeja e shtyrjes së mbledhjes.

“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot në orën 11:00, shtyhet për një ditë tjetër”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Ndërkaq, më një nëntor kishte dështuar mbledhja e kryesisë , pasi disa përfaqësues të partive politike munguan, ku do të bëhej caktimi i seancës parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka treguar se sërish mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar. Madje ai ka kritikuar për miratimin e buxhetit të Qeverisë së Kosovës për vitin 2022, duke theksuar se “buxheti është i dështuar për sektorin publik nëse nuk ka zbatim të Ligjit të Pagave”.

Ai në një konferencë për media pati thënë se “është brengosëse”, nëse nuk është miratuar Ligji i Pagave.

“Fatkeqësisht edhe kjo mbledhje e kryesisë dështoi, për shkak të mungesës së nënkryetarëve të disa subjekteve politike. Është brengosëse që në këtë buxhet nuk shohim porosi të zhvillimit ekonomik, shohim mesazhe që ndërlidhen me agjendën sociale. Nëse nuk është buxhetuar ligji i pagave do të thotë që nuk do të ketë ligj të pagave në vitin 2022”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Kurse, Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, pas mbledhjes së kryesisë, kishte bërë të ditur se janë dakorduar me të gjitha partitë politike që javën tjetër të mblidhen për ta caktuar seancën e radhës.

Bogujevci thoshte se kjo vjen si rezultat i takimeve punuese për MSA-së gjatë kësaj jave.

“Kemi një numër të madh të deputetëve që janë të angazhuar në pjesën e kësaj pune dhe takimet do të mbahen në sallën plenare, për shkak të numrit më të madh të pjesëmarrësve”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci

“Ka qenë dakordim i të gjithëve që të mblidhemi javën që vjen për ta caktuar seancën e radhës që të sigurohemi që t’i kemi të gjithë deputetët e pranishëm dhe të mos ndërhyjmë në punën e deputetëve që janë të përfshirë në angazhime me MSA-në”, ishte shprehur Bogujevci.

Ndërsa, për këtë mbledhje në rend të ditës ishin katër pika të papërfunduara nga seancat e kaluara plenare.

Rendi i ditës:

Miratimi i procesverbali të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

1.Pika e papërfunduar nga Seanca plenare e mbajtur më 22 dhe 28 korrik 2021:

13.Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.

III. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 16, 19, 21, 28 korrik dhe 6 gusht 2021:

4.Votimi i Projektligjit nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10,

6.Votimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”.

11.Votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore