Shqipëria

Shtyhet edhe një muaj kolaudimi i mjeteve


Afati tre mujor i shtyrjes së kolaudimeve të automjeteve do të zgjatet edhe me një muaj tjetër. Pra, gjatë prillit, qytetarët do të mund të lëvizin me mjetin e tyre edhe pse të pa kolauduar.

Ata duhet të pajisen me vulë të posaçme në lejen e qarkullimit ose me certifikatën e kontrollit teknik pranë çdo Drejtorie Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Në një intervistë për Monitor, kreu i drejtorisë, Blendi Gonxhe, pohoi se “të gjitha organet janë vënë në dijeni për këtë vendim”.

“Akti normativ nuk ka datë të sotme, ai vlen si 3 muaj plus për çdo kënd që ka një certifikatë të vlefshme, pra u shtohet edhe 3 muaj automatikisht”, tha Gonxhe.

“Drejtuesi i mjetit shkon paguan taksat dhe merr vulën e shtesës, në leje. Ka plot që u skadon sot, se e kanë bërë në 1 prill 2020 kolaudimin. Ata shkojnë paguajnë taksat dhe marrin sot vulën”.

Ndër të tjera, Gonxhe vijoi se ka me mijëra qytetarë të tillë. Kjo shtesë gjithsesi, vlen për këdo sipas tij.

Me përfundimin e kontratës me shoqërinë private SGS, qeveria mori vendimin të bënte kalimin e kolaudimit të automjeteve në strukturë shtetërore.

Kalimi u bë aktiv më 1 janar 2021. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, ende në Shqipëri nuk kryhen kolaudimet. Puna për restaurimin e pikave të kontrollit vijon nga autoritetet përkatëse.

Nuk bëhet ende me dije nëse procesi do të rifillojë së shpejti apo do të ketë shtyrje të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore