Lajme

Shtrenjtimi i rrymës i papërballueshëm për qytetarët, propozohet aplikimi i bllok-tarifave


Ilustrim

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 30 deri në 40 për qind.

Megjithatë një gjë e tillë u kundërshtua nga qytetarët e Kosovës me arsyetimin se një rritje çmimit të energjisë elektrike do të ishte e papërballueshme për standardin e tyre të jetesës.

Ndërkohë nga shoqëria civile është propozuar që të shkohet me aplikimin e bllok-tarifave, gjë e cila do të ndikonte në kursim më të madhe të energjisë elektrike.

Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, ka bërë të ditur se kërkesa e tyre drejtuar ZRrE-së ka ardhur si pasojë e ngritjes së çmimit të importit.

“Ne kemi bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm, sa i përket çështjes së çmimit, kjo është e drejtë ekskluzive që i takon organit vendimmarrës që në këtë rast është ZRrE. Ne si KEDS dhe KESCO nuk mund të komentojmë sa do të jetë rritja”, ka thënë Ramadani për Kosova Press.

Ilustrim

Ai thotë se aktualisht konsumatorët janë duke pasur furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe se nuk janë duke u aplikuar reduktime, megjithatë, thotë se ditëve të fundit është rritur konsumi i energjisë për shkak të uljes së temperaturave.

“Me uljen e temperaturave rritet edhe konsumi nga ana e konsumatorëve tanë, në veçanti nga ata të cilët e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje, pra që është një numër i konsiderueshëm i tyre dhe sigurisht që pastaj kjo reflekton drejtpërdrejtë edhe në mbarëvajtjen e sistemit elektroenergjetik në vend”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër Rinora Gojani nga Ballkan Green Foundation, ka potencuar se do të ishte një hap i mirë nëse aplikohet bllok-tarifa.

“ZRrE, përveç që shqyrton çmimin e energjisë, ta rishqyrtojë gjithashtu edhe futjen prapë në sistem të bllok-tarifave, në mënyrë që qytetarët të cilët konsumojnë më pak, të paguajnë më pak, ndërsa ata të cilët nuk kursejnë energjinë, t’iu faturohet energjia më shtrenjtë”, ka thënë Gojani.

“Bllok-tarifa ka rezultuar të jetë një mekanizëm i mirë edhe në bazë të analizave që i kemi bërë ne si shoqëri civile, duke i pa se sa ka ndikuar në rritjen e konsumit të energjisë për familje. Në fakt ky ka qenë një ndër mekanizmat që diku 81 për qind e qytetarëve janë sjellë më ndryshe në kohën kur bllok-tarifat kanë qenë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore