Lajme

Shtrenjtimi i energjisë elektrike/Murati: As e drejtë e as e majtë, por mbi kalkulime elektorale


Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati ka akuzuar Qeverinë se po e fut vendin në një krizë si energjetike po ashtu edhe ekonomike, sidomos për shtresën e mesme të popullsisë dhe se këtë po e bënë përë kalkulime elektorale.

Ai ka thënë se Qeveria e ka zgjedhur rrugën më të shkurtër dhe më të lehtë, por jo edhe më të drejtë.

“Nëse vërtet ka qenë e domosdoshme ngritja e çmimit të energjisë elektrike në planin afatshkurtër për shkak të mungesës së saj në tregun botëror, shpërndarja e kësaj barre në më shumë qytetarë por edhe biznese ka qenë më e drejtë”.

“Por si duket Qeveria e ka zgjedhur rrugën më të lehtë (gjithmonë duke e vështruar edhe këtë problematikë me një sy elektoral) dhe të ngarkojë më shumë një pjesë të popullsisë (deri në 30%) e jo të gjithë duke llogaritur në një reagim më të vogël në këtë rast”, ka shkruar Murati në rrjetin e tij social Facebook.

Faturat e rrymës

Ai ka thënë se shtrenjtimi i energjisë elektrike për një pjesë të popullsisë (që shpenzon më shumë se 600 KWh) po i përngjan instrumentit të taksës progresive.

“Ata që fitojnë më shumë kanë tatime më të larta. Veç në rastin e fundit, jashtë debatit ideologjik dhe ndikimit në zhvillimin ekonomik e shpërndarjen më të barabartë të fitimit, për një gjë të gjithë pajtohen, ata që tatohen me tatimin progresiv vërtet janë më të pasur”.

“Në rastin tonë, kjo nuk është e vërtetë, sepse ata që harxhojnë më shumë se 600 KWh, nuk e bëjnë këtë ngaqë janë më të pasur dhe rrjedhimisht harxhojnë energji elektrike se bëjnë jetë luksi, por ngase shumica e tyre, që i takojnë kryesisht shtresës së mesme (të brishtë në kontekstin kosovar), nuk kanë mundësi tjetër (ta zëmë nuk e kanë pasur fatin në Prishtinë të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore ende)”, ka shkruar ai.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati

Mënyra se si po tentohet të realizohet ky planë qeveritar, për Muratin nuk është as e drejtë e as e majtë.

“Kjo jo vetëm që nuk është një politikë e drejtë (e as e majtë), por një diskriminim i hapur i një shtrese që qeveria llogaritë se edhe reagimin mund ta ketë më të dobët”, shkruar i pari i LB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore