Aplikacione

Shtohet lista e shteteve kundër reklamave të Google-it


Në procesin gjyqësor të ngritur nga Texas-i kundër kompanisë së Google-it, Alphabet Inc, lidhur me thyerjen e ligjeve antitrust që rrisin biznesin e reklamave, janë bashkuar edhe katër shtete të tjera.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se prokurori i përgjithshëm i Texas-it, Ken Paxton, është shprehur se katër shtetet e tjera që i bashkohen padisë së ngritur në muajin dhjetor janë Alaska, Florida, Montana dhe Nevada.

Shtimi i shteteve të reja në procesin gjyqësor kundër Alphabet-it e çon numrin e përgjithshëm në 15 shtete dhe territore.

“Koalicioni ynë pret që ta mbajë Google-in përgjegjës për sjelljen e tij të paligjshme dhe reformimin e praktikave të Google-it në të ardhmen”, u shpreh Paxton.

Prokurori i përgjithshëm shtoi se “ne jemi të bindur që Google-i do të detyrohet të paguajë për sjelljen e tij të gabuar përmes ndëshkimeve të konsiderueshme financiare”.

Nga ana tjetër, Google-i po lufton akuzat dhe pritet që në seancën e planifikuar për ditën e enjte të përfshihet në diskutim peticioni i kompanisë për një gjykatë federale të Texas-it për transferimin e çështjes në Kaliforni.

Lidhur me procesin gjyqësor, Google-i akuzohet për mënyrën se si dominon hapat në procesin e vendosjes së reklamava në internet. Pretendohet se Google-i bashkon forcat në mënyrë të fshehtë me konkurrentin e reklamava, Facebook dhe përdor arsyetimin e mbrojtjes së privatësisë së përdoruesve për të vepruar padrejtësisht.

Kjo ka bërë që botuesit të ankohen për gjenerim më të pakët të të ardhurave.

Madje, në ankesën e ndryshuar thuhet se Facebook-u dhe Google-i “punojnë së bashku për të identifikuar përdoruesit që përdorin produktet e Apple-it”, por nuk kanë dhënë detaje të hollësishme.

Vitet e fundit, Apple-i në shfletuesin e saj në internet dhe në iPhone, ka rritur masat për të ndaluar kompanitë teknologjike të reklamave të ndërhyjnë në privatësinë e përdoruesve të saj.

Në një deklaratë mbi çështjen, Google-i e ka cilësuar pretendimin e ri ‘’të pamerituar” në një “padi tanimë të pamerituar”.

As Facebook-u dhe as Apple-i nuk kanë pranuar të japin një koment.

Në ankesën e re të ndryshuar shtohet edhe fakti që Google-i që prej vitit 2015 ka pasur akses në mesazhet e përdoruesve të Whatsapp-it që ata rezervonin në sistemin e ruajtjes cloud të Google Drive-it. Në procesin gjyqësor thuhet se kompania e dinte që përdoruesit ishin të painformuar për këtë, por nuk ndërmori asnjë hap për ta korrigjuar.

Nga partneriteti me Whatsapp-in, Google Drive fitoi pothuajse 250 milionë përdorues të rinj deri në muajin qershor të vitit 2016.

Në kontrast, në deklaratën e Google-it mbi procesin gjyqësor thuhet se përdorimi i të dhënave të rezervuara në Whatsapp për qëllime reklamimi është pretendim i rremë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore