Shtetit i zhduken mostrat e Astrit Deharit nga laboratori, “mungojnë 12 epruveta me gjak”

Ilustrim

Dreni Himbeqa
08.12.2022 12:21
Loading Icons...

Në një konferencë për media të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se mbrëmë, pra të mërkurën, janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

Për Haxhiun ky akt përveç se është i rëndë është edhe kriminal.

“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti”.

“Sot në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetent jam njoftuar si në vijim”.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit”.

“Nga këto instituti 2 epruveta me gjak ja ka dhënë institutit zviceran dhe një policisë për ADN”.

“Sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, ka shtuar ajo.

Sipas Haxhiut në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, të cilët tashmë janë lajmëruar në Prokurori dhe Polici.

“Unë i di emrat e personave të cilët kanë qasje në këtë institucion në departamentin e laboratorit të toksikologjisë, por unë nuk mund t’i them ato, pasi që tashmë emrat e tyre i di edhe Policia edhe Prokuroria”.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Haxhiut janë vërejtur në momentin kur mostrat nga frigoriferët e vjetër janë bartur në frigoriferët e rinj.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit. Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”.

Akti në fjalë, sipas pretendimeve të Haxhiut, ka një motiv – të dëmtojë edhe më tej procesin në rastin e Astrit Deharit.

“Prej gjashtë vitesh të gjitha të dhënat, provat, dëshmitarët dhe çdo rrethanë e faktorë është synuar të shtrembërohet, zhduket apo të eliminohet”.

Haxhiu më tej ka siguruar që autorët e këtij akti do të gjinden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht.

“Menjëherë pas kësaj konference do të merren masa në përputhje me përgjegjësitë”.

Të fundit

Aktuale