Lajme

Shtëpia e vogël e ka kapur momentin… është trend


Revolucioni në botën e dizajnit të shtëpive po ndodh.

Trendi i shtëpive të vogla, një lëvizje arkitekturore dhe sociale për zvogëlimin e hapësirave të jetesës, po rritet.

Ngado flitet për shtëpitë e vogla, sidomos në platformën Instagram ku postimet dhe hashtag-et janë të shumta.

Një nga kampionët e lëvizjes është edhe Elon Musk, shefi multimiliarder i Tesla-s. Kjo nisi kur ai mori me qira një shtëpi të vogël në Boca Chica, Texas, teksa punonte në sipërmarrjen e tij në SpaceX.

“Më mirë me një shtëpi të vogël”, ka shkruar asokohe ai në Twitter.

Duket se lëvizja për të pasur një shtëpi të vogël ka kapur momentin.

Ideja për të pasur më pak hapësirë mund të krijojë hapësirë në jetën e përditshme për gjëra më të rëndësishme dhe është ide goxha tërheqëse.

Rrënjët e lëvizjes së shtëpisë së vogël mund të gjurmohen te natyralisti dhe eseisti amerikan i shekullit të XlX-të, Henry David Thoreau, libri i të cilit, “Walden” i vitit 1854, është një meditim frymëzues mbi jetesën e thjeshtë në një mjedis natyror.

Kurse Jay Shafer, “kumbari i shtëpive të vogla”, udhëhoqi lëvizjen moderne kur ndërtoi një shtëpi të vogël me rrota dhe shkroi “The Small House” në vitin 1999.

Ai themeloi edhe kompaninë Tumbleweed Tiny House, përpara se të largohej për t’u fokusuar në drejtësinë sociale dhe të drejtat e strehimit.

Sipas Tiny Housing Co, një firmë në Mbretërinë e Bashkuar, shtëpitë e vogla kërkojnë më pak material për t’u ndërtuar dhe janë të kujdesshëm ndaj energjisë.

Ato mund të pajisen me panele diellore ose energji nga era, në mënyrë që pronari të mund të qëndrojë jashtë rrjetit.

Duke qenë të dizajnuara për lëvizshmëri, ato mund të vendosen më lehtë afër natyrës. Ekonomike, të lëvizshme, miqësore me mjedisin, të prirura ndaj komunitetit, pa hipotekë… çfarë duhet tjetër?

Chris March, themeluesi i Tiny Eco Homes, ka jetuar për tre vjet në një prej modeleve të tij, me veshje me pisha brenda dhe një verandë kedri.

Me përmasa shtatë metra me 2.5 metra, modeli ka dy dhoma gjumi, dy kate dhe tavane mjaftueshëm të larta. Është e pajisur me “gjithçka që djali im dhe unë kemi nevojë”, thotë ai.

Kostoja e tokës mund të jetë një konsideratë kryesore në zotërimin e një shtëpie të vogël.

“Nuk kam ndërmend të ndërtoj një shtëpi normale. Kjo mund të më kushtojë 200 mijë paund, por unë mund të shpenzoj 60 mijë paund për një shtëpi të vogël dhe të kem një shtëpi krejt të re, kështu që nuk është aspak e kotë”, thekson ai.

Mënyra e jetesës dhe vlerat janë forcat kryesore lëvizëse.

Territori i vogël i shtëpisë shkon paralel me rimendimin e asaj që është e rëndësishme, si forcimi i komuniteteve lokale ose ruajtja e mjedisit; ose dëshira për të kaluar më shumë kohë me familjen.

Disave u pëlqen dizajni i vogël dhe elegant i shtëpisë së vogël. Por kjo është një pakicë e vogël në Mbretërinë e Bashkuar, ku vlerësohet se vetëm 200 njerëz jetojnë në shtëpi të vogla paçka gjithë interesimit për to.

“Të gjithë po flasin për të jetuar në shtëpi të vogla, por shumë pak po e bëjnë këtë”, ka theksuar March.

Në vende të tjera, duket se industria e shtëpive të vogla po ecën më shpejt. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësohet se 10 mijë njerëz jetojnë në banesa të vogla.

“Lëvizja e shtëpive të vogla po rritet”, tregon Amy Turnbull, drejtoreshë e American Tiny House.

David Latimer, themeluesi i New Frontier Design, thotë se “është një zgjedhje e stilit të jetesës. Momenti i shtëpisë së vogël është një botë e drejtuar nga vlerat”.

Edhe pandemia ka pasur një efekt të dukshëm në treg.

“Kemi parë një shpërthim në kërkesë nga njerëzit që duan të rilidhen me natyrën pasi janë bllokuar në qytete”, tregon ai.

Por shtëpitë e vogla nuk janë për të gjithë.

Sipas tij, “ato mund të kërkojnë sakrifica dhe ndryshime në stilin e jetës për t’i bërë ato të funksionojnë”.

Marrë nga “BBC”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore