Lajme

Shtëpia e Bardhë zbuloi detajet e përgatitjeve për vizitën e parë jashtë vendit të Zelensky-it


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shtetet e Bashkuara me ftesë të presidentit amerikan Joe Biden pasi të dy udhëheqësit diskutuan vizitën e Zelensky-it në Washington gjatë një telefonate më 11 dhjetor.

Këtë e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë në një bisedë telefonike me mediat.

Zyrtari vuri në dukje se Shtëpia e Bardhë e ftoi zyrtarisht Zelensky-in të vinte në Washington të mërkurën e kaluar, më 14 dhjetor.

Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë sqaroi se i ofruan presidentit ukrainas një takim të gjatë me Biden-in, një takim me anëtarët kryesorë të ekipit të sigurisë kombëtare dhe kabinetit të presidentit amerikan, si dhe mundësinë për të folur me shtypin dhe për të shkuar në Capitol Hill për të marrë pjesë në një seancë të përbashkët të Kongresit të SHBA-ve.

Pala ukrainase, zyra e Presidentit Zelensky, e pranoi zyrtarisht ftesën të premten e kaluar. Vizita u konfirmua përfundimisht të dielën, vetëm tre ditë më parë.

Të njëjtën ditë, Shtëpia e Bardhë kontaktoi zyrën e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për të informuar Kongresin për vizitën e Zelensky-it.

Zyrtari shtoi se në takimin e presidentëve, Zelensky dhe Biden “do të kenë një mundësi për të zhvilluar një diskutim të thellë strategjik të veprimeve të mëtejshme në fushën e betejës, aftësive dhe trajnimeve që SHBA-të dhe aleatët do të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës”.

Përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se presidenti amerikan Joe Biden do të shpallë një paketë të re të rëndësishme ndihme për Ukrainën në fushën e sigurisë me vlerë rreth 2 miliardë dollarë, e cila do të përfshijë një bateri të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.

Në mëngjesin e 21 dhjetorit, Zyra e Presidentit të Ukrainës konfirmoi zyrtarisht vizitën e Zelensky-it në Shtetet e Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore