Lajme

Shtëpia e Bardhë mohoi presionin ndaj Ukrainës në lidhje me negociatat


Shtëpia e Bardhë deklaroi të premten se vetëm presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mund të marrë vendimin për fillimin e bisedimeve të paqes me Rusinë.

Kjo, duke hedhur poshtë idenë se SHBA-të po i bëjnë presion Kiev-it për të negociuar.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

“Ne të gjithë pajtohemi se një zgjidhje diplomatike e negociuar është gjëja më e mirë për Putin-in që thjesht të tërheqë trupat e tij”, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. “Askush nga Shtetet e Bashkuara nuk po bën presion apo e shtyn Ukrainën në tryezën e negociatave”.

Komentet erdhën dy ditë pasi gjenerali më i lartë i Pentagon-it, kryetari i Shefit të Shtabit të Përbashkët, Mark Milley, sugjeroi që pas fitoreve të mëdha në fushën e betejës dhe një dobësimi të konsiderueshëm të forcave ruse, Kiev-i mund të përfitonte nga kjo dhe të fillonte negociatat për t’i dhënë fund luftës.

Milley vuri në dukje se nuk ka gjasa që forcat ukrainase së shpejti të jenë në gjendje të rimarrin të gjitha tokat e pushtuara nga Rusia, veçanërisht Krimenë, të cilën Moska e kapi në vitin 2014.

Kujtojmë se presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan dhe ai i Federatës Ruse, Vladimir Putin, diskutuan për korridorin e grurit dhe nevojën për negociata diplomatike mes Kiev-it dhe Moskës.

Erdogan tha se zgjatja e luftës ndërmjet Federatës Ruse dhe Ukrainës rrit rreziqet, prandaj është e rëndësishme të rifillojnë negociatat diplomatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore