Lajme

Shtëpia e Bardhë i qëndron vendimit që të mos sanksionojnë princin e Arabisë Saudite


Shtëpia e Bardhë i ka qëndruar vendimit të saj për të mos sanksionuar drejtpërdrejt princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, nuk u lëkund në vendimin që të mos e bënin princin e kurorës përgjegjës.

“Ne besojmë se ka mënyra më efektive për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë përsëri. Gjithashtu duhet të jemi në gjendje të lëmë hapësirë për të punuar me sauditët në zonat ku ka marrëveshje të ndërsjella”, tha Psaki për CNN.

Linja që Biden pritet të ketë kundrejt MBS

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ishte i paqartë në përshkrimin e asaj që do të njoftohet të hënën.

Ai tha se vetëm qasja e përgjithshme ndaj Arabisë Saudite do të ishte “e rëndësishme” dhe do të bëjë të qartë se “rregullat po ndryshojnë”.

“Ne do ta mbajmë si përgjegjëse qeverinë saudite për abuzimet e të drejtave të njeriut”, tha Biden. Ai shtoi se e kishte paralajmëruar për njoftimin Mbretin Salman në një bisedë telefonike të premten.

Zyrtarë për Shtëpinë e Bardhë kanë thënë se e shikon mbretin 85-vjeçar si homologun e Biden dhe jo princin 35-vjeçar, i cili ka kontrollin e politikës së përditshme.

CNN citoi dy zyrtarë të administratës pa emër të thoshin se sanksionimi i princit nuk kishte qenë një opsion, pasi do të rrezikonte praninë e SHBA në Arabinë Saudite.

Me botimin e një versioni të paklasifikuar të vlerësimit të inteligjencës amerikane (CIA) mbi vrasjen Khashoggi-t në 2018-ën, administrata e Biden tha se do të vendoste kufizime të vizave për 76 sauditë të përfshirë në vrasje.

Nuk u bë e qartë për princin a është apo jo pjesë e listës për kufizime, por deklarata e Psaki-t, të dielën, duket se e përjashton atë.

Administrata e Biden ka njoftuar një fund të mbështetjes ushtarake amerikane për luftën ajrore të udhëhequr nga Sauditët në Jemen, por ka thënë se do vazhdojë ta furnizojë mbretërinë me armë mbrojtëse.

Reagimet e disa demokratëve

Masat e Biden mbi Arabinë Saudite deri më tani nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kënaqur anëtarët kryesorë të partisë së tij.

Senatori Mark Warner, kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Senatit, u shpreh:

“Mendoj se administrata duhet të mbajë sanksione shtesë kundër MBS, nëse nuk shohim një ndryshim në sjellje”.

“E duartrokas administratën e Biden për lëshimin e këtij raporti të paklasifikuar të vonuar prej kohësh”, tha Gregory Meeks, kryetari i komitetit të punëve të jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. “Sidoqoftë, duke pasur parasysh konkluzionet e raportit në lidhje me rolin e drejtpërdrejtë të Mohammed bin Salman, pres hapa të tjerë drejt përgjegjësisë”.

Reagimet nga Arabia Saudite

Autoriteti më i lartë fetar i Arabisë Saudite lëshoi një deklaratë të dielën, duke hedhur poshtë vlerësimin e inteligjencës amerikane si “të rremë dhe të papranueshëm”.

Komentuesit e mediave, të mbështetura nga shteti saudit, denoncuan veprimin e CIA-s si një kërcënim ndaj sovranitetit saudit.

“Ne duam të forcojmë lidhjet e rrënjosura thellë me SHBA-në, por jo në kurriz të sovranitetit tonë. Gjyqësori dhe vendimet tona janë një vijë e kuqe”, shkroi gazetari Fahim al-Hamid, në gazetën Okaz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore