Art&dizajn

Shtëpi që shkrihet me relievin


Sinas Architects, studioja greke arkitekturore, ka arritur të ndërtojë një shtëpi në ishullin Serifos duke shfrytëzuar gurin e thatë vendas për muret për ta bërë ndërtesën sa më pak të dukshme.

Dezeen, faqe kushtuar arkitekturës, tregon se muret e shtëpisë së përbërë nga dy dhoma gjumi janë projektuar për t’u dukur si mure mbajtëse prej guri, të cilat janë të ulëta dhe tipike për peizazhet greke.

Themeluesi i studios, George Sinas, kuptoi se ky lloj muri i ulët mund të përdoret për të krijuar një ndërtesë që bashkohet me topografinë e pjerrët dhe e quajti shtëpinë Xerolithi, emrin e vetë gurit.

“Në një mënyrë tejet delikate, ato zbulojnë praninë e njeriut në zona që përndryshe duken të paprekura nga civilizimi. Duket e përshtatshme vetëm të eksperimentosh me këtë element dhe të shohësh se si mund të krijojë formë dhe hapësirë”, është shprehur ai.

Muret e ulëta e bëjnë të vështirë të kuptohet se ku mbaron peizazhi dhe ku fillon shtëpia. Madje efekti theksohet edhe më shumë prej kulmit të mbuluar me shkurre dhe zhavorr vendas, të cilat ndihmojnë të përshtatet me rrethinat.

Për sa i përket sipërfaqes së shtëpisë, ajo përmban 245 metra katrorë hapësirë për dysheme, si dhe tarraca që mbështjellin hapësirat e jetesës.

Muret, të cilët duken sikur kanë një lehtësi në ajër, “duket sikur lëvizin butësisht më afër, larg shpatit dhe në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri duke formuar hapësira jetese në mes”, ka vazhduar krijuesi.

Në pjesën e brendshme, forma e ndërtesës ka diktuar një paraqitje lineare dhe vëllimi  i saj është i ndarë në dy blloqe. Më i madhi përmban hapësirën e ndenjes dhe dhomën e gjumit. Ndërsa në bllokun më të vogël janë të vendosura dy dhoma gjumi shtesë për mysafirët. Përfshirë edhe një bodrum.

Nga ana tjetër, tarracat nuk janë lënë pa një funksion. Ato shërbejnë si hapësira ngrënieje në natyrë. Njëra hapet ndërmjet dy blloqeve dhe strehohet nga çatia kryesore kurse tjetra është e vendosur në skajin lindor të shtëpisë.

Të dyja tarracat janë të përshtatura nga struktura prej druri me pjergull dhe me tendë bambuje. Dhe nga trajtat e parregullta të trarëve prej druri, pjergullat marrin një formë të çrregullt e të pazakontë që i lënë vend modeleve të ndryshme të dritës dhe hijes.

Edhe brenda ngjashëm si jashtë, me të njëjtat materiale. Trarët e tavanëve prej druri janë të ekspozuara sipër dhe mbushen me seksione alternative të bambusë.

Sinas ka treguar se “trarët që mbështesin natyrshëm strukturën nuk mund të vendoseshin paralelisht me njëri-tjetrin, përkundrazi ata ndjekin morfologjinë e lakuar të shtëpisë si rruaza në një palcë të gjatë kurrizore”.

Për t’i ikur drurit, muret e brendshme të shtëpisë janë suvatuar duke i dhënë një ndjesi të ndritshme dhe të ajrosur ambienteve. E për t’u rikthyer përsëri te druri, dyert dhe mobiliet e krijuara janë ndërtuar nga materiali i drurit të fortë.

As xhami nuk mungon. Dhomat e gjumit kanë dyer prej xhami që hapen dhe ofrojnë pamje nga deti. Ndërsa në dhomat e ndenjes ka xhama në të dyja anët duke e lejuar atë të hapet në të dyja hapësirat.

Në to, në pjesën e pasme, ndodhet edhe një oborr i izoluar që ofron më shumë privatësi dhe strehim nga era.

Sipas Sinas-it, kjo ndërtesë do të shërbejë si një shembull për një lloj të ri të arkitekturës greke me më shumë përputhje me peizazhin. Kjo duke eksperimentuar me forma alternative, por duke respektuar të gjitha elementët bazë që përbëjnë karakterin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore