Shqipëria

Shtatë eurodeputetë do të vizitojnë Shqipërinë, në fokus reformat


Një delegacion prej shtatë eurodeputetësh do të vizitojnë Tiranën dhe Podgoricën nga data 23 deri më 26 maj.

Kjo, për të shprehur mbështetjen për çuarjen përpara të procesit të zgjerimit.

Lajmin e bëri të ditur faqja Insight EU Monitoring.

Anëtarët e Komitetit për Punët e Jashtme (AFET) do të vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe reformat e mëtejshme të nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.

Sipas faqes, ata do të rikonfirmojnë gatishmërinë e Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE dhe do të shprehin mbështetjen për përpjekjet e Malit të Zi për t’i përfunduar ato.

Vizita do të trajtojë çështjet e theksuara në raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë të miratuar nga seanca plenare më 19 maj 2022 dhe në raportin e Malit të Zi të miratuar nga Komisioni për Punët e Jashtme më 12 maj.

Europarlamentarët

Delegacioni prej shtatë eurodeputetësh,do të kryesohet nga politikani gjerman David McAllister (EPP, DE).

Ai do të takohet me përfaqësuesit e lidershipit politik, opozitës dhe shoqërisë civile në të dyja vendet nga 23 deri më 26 maj.

Për të parë ndikimin që ka pasur financimi i para-anëtarësimit në të dy vendet, anëtarët do të vizitojnë një shkollë të rindërtuar në kuadër të programit EU4schools.

Ndër të tjera, europarlamentarët do të mbërrijnë edhe në një pikë kalimi kufitar të ndërtuar me mbështetjen e BE-së dhe do të vlerësojnë përpjekjet e ruajtjes për të ruajtur biodiversitetin e Liqenit të Shkodrës.

Anëtarët e delegacionit janë këta: David McALLISTER (EPP, Gjermani), Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Kryetar i delegacionit; Željana ZOVKO (EPP, Kroaci), Zëvendëskryetare e Komisionit për Punë të Jashtme; Hildegard BENTELE (EPP, Gjermani); Isabel SANTOS (S&D, Portugali); Thijs REUTEN (S&D, Hollandë); Thomas WAITZ (Të Gjelbrit/EFA, Austri); Angel DZHAMBAZKI (ECR, Bullgari).

Në rezolutën e fundit vjetore, Parlamenti Evropian rikonfirmoi se Shqipëria ka përmbushur kushtet e nevojshme për të nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore