Lajme

Shqiptari që deshi “ta blejë” hyrjen për në Kosovë


Në mes të dokumenteve të paraqitura për identifikim në pikën kufitare një shtetas shqiptar kishte futur edhe një kartëmonedhë prej 50 eurosh.

Me këto para E.R., i lindur në vitin 1986 donte të blinte hyrjen në shtetin e Kosovës.

Zyrtari Policor i cili po bënte kontrollimin dhe regjistrimin në pikën kufitare Vërmicë, ka kërkuar të di nga vozitësi i veturës se përse këto para janë në dokumente.

Sipas raportit zyrtar nga Policia e Kosovës është raportuar se njëri nga 4 pasagjerët në po të njëjtën veturë, me targa të Shqipërisë i ka thënë se me këto para do që t’i lejohet hyrja në Kosovë.

“Këto të holla i ka vendosur pasi që kishte ndalesë për të hyrë në Republikën e Kosovës dhe me to t’i mundësohet hyrja”, thuhet në raportin e Policisë.

Gjatë kontrollit në sistemin e të dhënave të Policisë Kufitare është identifikuar se E.R, shtetas shqiptar e kishte të ndaluar të hynte në Republikën e Kosovës për pesë vite.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Vërmicë, dhe më pas është njoftuar prokurori kujdestar.

Ky i fundit i ka hapur rast për kryerjen e veprës penale “Dhënie e ryshfetit personit zyrtar”.

Personi i dyshuar është intervistuar nga Policia në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me pas me vendim të prokurorit është dërguar Qendrën e Mbajtjes në Prizren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore