Shqipëria

Shqiptarët pjesë e numrit të shtuar të punonjësve jashtë BE-së në Gjermani


Numri i shtetasve jo të Bashkimit Evropian që shkojnë në Gjermani për të punuar për një periudhë të kufizuar kohore është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Kështu ka bërë me dije Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, Destatis.

Në fund të vitit 2021, në Regjistrin Qendror të të Huajve u regjistruan më shumë se 295 mijë persona që mbanin një leje qëndrimi të përkohshme për qëllime punësimi.

Çka nënkupton se numri i punëtorëve të huaj nga vendet jashtë BE-së është trefishuar në dhjetë vitet e fundit.

Në këtë rritje përfshihen edhe mbërritjet e shqiptarëve në Gjermani që kanë preferuar të punojnë atje për një periudhë të kufizuar kohore.

Referuar të dhënave, numërohen 13 mijë e 800 punëtorë shqiptarë që kanë shkuar atje në fund të viti 2021 për të punuar.

Për sa i përket përqindjeve, sipas Destatis, numri i punëtorëve jashtë BE-së në Gjermani në fund të vitit 2021 regjistroi një rritje prej 226 për qind në krahasim me vitin 2011.

Në fund të vitit 2011, vetëm rreth 90 mijë e 500 punëtorë jashtë BE-së kishin një vendbanim të tillë.

Më tej, të dhënat tregojnë se në fund të vitit 2021, 225 mijë e 500 persona nga vendet jo-anëtare të BE-së punonin në Gjermani pa karton blu dhe 69 mijë e 900 prej tyre punonin me karton blu.

Destatis ka zbuluar gjithashtu se India ishte vendi kryesor i origjinës, me 33 mijë e 900 shtetas indianë që shkonin në Gjermani për qëllime pune.

India pasohet nga Bosnja dhe Hercegovina me 26 mijë e 300 punëtorë, Kosova me 19 mijë e 600 punëtorë, Serbia me 17 mijë e 400 punëtorë dhe Kina me 16 mijë e 700 punëtorë.

Sakaq, SHBA-të me 16 mijë e 500 punëtorë, Shqipëria me 13 mijë e 800 punëtorë, Maqedonia e Veriut me 13 mijë e 500 punëtorë, Turqia me 10 mijë e 700 dhe Rusia me 9 mijë e 400 punëtorë.

Po ashtu është rritur edhe imigrimi i fuqisë punëtore nga vendet e BE-së.

Destatis ka treguar se vendet më të shpeshta të origjinës së BE-së ishin Polonia, Rumania, Italia, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Hungaria, Austria, Spanja dhe Franca.

Më parë është raportuar se Gjermania planifikon ta bëjë më të lehtë për emigrantët e aftë të marrin punë të disponueshme.

Autoritetet e vendit kanë njoftuar se po shqyrtojnë lehtësimin e disa rregullave pasi vendi duhet të plotësojë një numër të madh vendesh të lira.

Është vlerësuar se për të plotësuar deficitin e vendeve të punës, Gjermania duhet të punësojë më shumë se një milion njerëz pasi aktualisht ka 1.7 milionë vende të lira pune.

Numri më i madh i punëtorëve nevojitet në industrinë e udhëtimeve ajrore dhe mikpritjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore