Shqipëria

Shqipja, e cenuar nga fjalët e huaja?


Sa kujdeset shoqëria jonë për gjuhën amtare?

Në ditët e sotme, ku duket se kemi edhe një ndikim “evropian” në përdorimin e fjalëve, të cilat shpesh hyjnë edhe me objektin, sa e cenuar duhet të ndihet gjuha shqipe? Në çdo reklamë vihet re masivizimi i përdorimit të fjalëve të huaja.

Dikush mund të mendojë se shqipja po pasurohet, por po pasurohet në mënyrë të gabuar. Model i gabuar gjuhësor prej mjeteve të komunikimit masiv është bërë diçka krejt e zakonshme dhe e paprekshme.

Profesoresha e mirënjohur, Mimoza Kore, për Albanian Post është shprehur në lidhje me huazimet e gjuhës.

“Si shumë gjuhë të tjera, edhe shqipja ka problemet e saj, të cilat herë vijnë nga trysnia e jashtme, e herë nga shpërdorimi i ligjëruesve të saj. Vihen re keqpërdorime të saj, por dhe mungesë e kulturës gjuhësore”.

Në vijim, profesoresha Kore vë theksin se dekadat e fundit gjuhës shqipe i është dashur të përballojë zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë sonë në planin e ekonomisë së tregut, si dhe në atë të rendit të ri politik demokratik, migrimin, lëvizjen e lirë të njerëzve.

“Pavarësisht të mirave që sollën të gjitha këto, në shqipe janë bërë tashmë të dukshme edhe pasojat negative. Shqipja u pasurua dhe vazhdon të pasurohet me fjalë të brumit të saj, por fatkeqësisht edhe me fjalë të huaja të hyra pa kriter”.

Sipas profesoreshës, mjafton të kujtojmë “mësymjen” e paparë ndonjëherë të fushave të tëra terminologjike prej gjuhësh të tjera, kryesisht anglishtes, e cila është kthyer në lingua franca e kohëve të sotme e po vërshon në gjuhën e të rinjve edhe me leksema e shprehje gjuhësore.

“Kjo ka bërë që jo vetëm të vijnë në gjuhën tonë fjalë të panevojshme, të cilat kanë përgjegjësen në gjuhën shqipe, por të preket dhe struktura e gjuhës. Thelbi i gjuhës, është sistemi gramatikor, e kur preket struktura e gjuhës duhet të alarmohemi të gjithë”.

Nga viti 2008 ekziston një ligj për mbrojtjen e konsumatorit, që kërkon, mes tjerash, që ky të informohet në mënyrë të plotë e të saktë në gjuhën shqipe. Megjithatë, informacioni i shkruar për pjesën më të madhe të mallrave e produkteve të importuara vijon të jetë në gjithfarësoj gjuhësh.

Moslakimi i emrave, njëkohësisht është një problem duke sjellë ngurtësim të gjuhës, siç thotë dhe profesoresha, që sjell shtrembërim sipas variantit anglishtes.

Fjalë të huaja kanë zëvendësuar mjaft fjalë shqipe, të cilat nuk po gjejnë më përdorim, sikur të mos kishin ekzistuar, ndërkohë që sinonimia kuptimore qoftë dhe me fjalën e huaj do ta pasuronte gjuhën tonë.

“Nuk parapëlqehen fjalë të mirëfillta shqipe, të cilat po hyjnë mjerisht në fondin e fjetur të shqipes, a thua se janë fosilizuar e nuk gjejnë më përdorim si, për shembull në vend që të përdoren i përsosur dhe i përkryer, janë zëvendësuar me fjalën e huaj perfekt”.

Duket që kur kalohet në rrugët e qyteteve emërtimet e dyqaneve dhe bizneseve në shumicën e rasteve janë në gjuhë të huaj: “La Voglia”, “Dolce Casa”, “New York” etj.

Duhet një higjienizim urban prej bashkive të qyteteve për t’i shqipëruar ato, thotë Mimoza.

Problemi nuk është kaq i cunguar. Rinia, media janë bërë palë e kësaj mynxyrë të gjuhës.

Në fund, profesoresha thotë se, “Përdorimi i përftesave klishe, nga moshat e reja, pështjellimi i mendimit jo i ndërtuar mirë gjuhësisht, dëshira për t’i lënë mbresa publikut (apo tjetrit) pa vënë në pah thelbin e asaj që do të kumtohet, është fatkeqësi për gjuhën”.

Gjuha jonë është pasuria më e madhe që kemi trashëguar, i vetmi shënjues etnik që bashkon gjithë shqiptarët. Mbi emërtimin e gjuhës sonë është krijuar dhe endonimi “shqiptar” dhe toponimi Shqipëri, prandaj kujdesi për të i takon gjithë shoqërisë…

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore