Sport

Shqipëria U-18 dhe U-19 do përballen me Italinë në muajin gusht


Për vitin e dytë radhazi, ekipet e Kombëtares së Shqipërisë, U-18 dhe U-19 do të zhvillojnë dy miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Italisë në muajin gusht.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy kombëtaret kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy sfidave miqësore në Itali më datën 11 gusht.

Fillimisht do të jetë Shqipëria U-18, e drejtuar nga Ardi Behari që do të zbresë në fushë, me kuqezinjtë që do të sfidojnë italianët më 10 gusht në miqësoren që do të nisë në ora 18:30 në Koverçano, ndërsa një ditë më pas, skuadra e drejtuar nga Armando Cungu do të përballet me Italinë U-19, e cila do të fillojë në ora 10:30.

Të dy trajnerët dhe stafet e ekipeve kombëtare U-18 dhe U-19 kanë mundësinë të testojnë futbollistët që do të ftojnë në këto dy ndeshje të rëndësishme ndaj një kundërshtari prestigjioz si Italia.

Kjo është një mundësi shumë e mirë kryesisht për Kombëtaren U-19 dhe stafin e këtij ekipi për të përgatitur grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022/2023.

Kuqezinjtë janë shortuar në grupin 7 me Belgjikën dhe Spanjën. Këto ndeshje do të luhen në Belgjikë në muajin shtator, më datat 21 dhe 24 shtator.

Shqipëria U-19 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e miqësore përgjatë këtij viti, teksa edhe ekipi i drejtuar nga Ardi Behari ka luajtur disa ndeshje në muajin janar e vitit 2022, duke testuar disa dhjetëra lojtarë që aktivizohen brenda e jashtë vendit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore