Shqipëria

“Shqipëria sot, si Wuhan-i dhe Lombardia vjet”


Bilancet ditore të të infektuarve dhe atyre që humbin jetën nga Covid-19 vazhdojnë të jenë të larta. Mesatarja e infektimeve ditore në Shqipëri qëndron mbi shifrën një mijë.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) njoftoi për 1 mijë e 21 qytetarë të infektuar dhe 15 të vdekur, brenda 24 orëve.

“Situata në spitale është jashtëzakonisht shqetësuese”, thotë Erion Dasho, drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt të Gjermanisë, derisa nënvizon se serioziteti i gjendjes “pasqyrohet në vdekshmërinë e lartë, në përgjithësi”.

Në spitalet e vendit janë 650 pacientë që po trajtohen për komplikime si pasojë e infektimit me Covid-19, por më shqetësuese për Dashon është fakti që njerëzit qëndrojnë në shtëpi dhe nuk marrin trajtimin mjekësor në spital.

“Kjo vjen nga mungesa e besimit, për cilësinë e trajtimit që marrin. Situatën e tanishme në Shqipëri e krahasoj me Wuhan-in dhe Lombardi-në e para një viti”, thekson ai, për Albanian Post.

Problematikë tjetër paraqitet të jenë kapacitetet e spitaleve, të cilat janë duke arritur limitin. Madje, edhe ato të kujdesit terciar(spitalet universitare).

Ngarkimi i sistemit të referimit, sipas profesorit Erion Dasho, ndodh atëherë kur një nivel nuk është në gjendje t’i plotësojë nevojat shëndetësore. “Në rastin e Shqipërisë, këto nivele janë drejt plotësimit”.

“Një element tepër i rëndësishëm”, shton Dasho, “është vdekshmëria reanimatore apo vdekshmëria e personave të intubuar që ka krijuar paragjykim dhe frikë ndaj spitalit”.

Lidhur me masat mbrojtëse dhe kufizimet e tjera që mund t’i aplikojë shteti, ai thekson që “fashat orare dhe mbajtja e maskës në publik nuk kanë dhënë efektin e pritshëm”.

“Jemi i vetmi vend ku nuk shihet tendencë e uljes së shifrave por ato sa vijnë e shtohen, kjo tregon që as fasha orare dhe as maska nuk funksionuan”, nënvizon profesori.

“Duhet të ishin marrë masa sipas parimit testo-gjurmo-trajto në mendimin tim. Në këtë kontekst mund të promovohej më tej dhe parimi tjetër distancim-higjenë-maskë”.

Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, e ngjashme vetëm me Ballkanin Perëndimor, u aplikua maska dhe distancimi fizik. Ky ishte kombinimi i vetëm për të parandaluar përhapjen pa shkuar në kushtet e një mbyllje të dytë.

Kujtojmë se kufizimet me fasha orare erdhën si përpjekje për të mos lejuar grumbullimet në orët e vona të mbrëmjes nga rinia nëpër bare, lokale apo restorante.

Masë tjetër është vaksinimi, nëpërmes të cilës “synohet përmirësimi i jetës dhe i shëndetit të qytetarëve”.

“Unë mendoj se me zbatimin e fushatave të vaksinimit ne do të kemi një kthim në normalitet. Përvoja botërore ka treguar se shumë sëmundje kur vaksinimi ka qënë i efektshëm, kanë shkuar drejt një zgjidhjeje”, shpjegon profesor Dasho.

“Besoj se e njëjta gjë do ndodhë edhe me COVID-19. Fushatat e vaksinimit do ta kthejnë situatën në normalitet. Shpresoj që maska të jetë një kujtim i largët për të gjithë ne”, përfundon ai.

Kujtojmë se Shqipëria është në vendin e dhjetë për numrin më të lartë të rasteve për banorë, nga të dhënat e incidencës në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore