Shqipëria

Shqipëria pranë objektivit të NATO-s për shpenzimet në mbrojtje, thotë raporti


Njëmbëdhjetë nga 30 vendet e NATO-s do të ndajnë të paktën 2.0 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen në vitin 2023.

Kështu thotë raporti i fundit nga Instituti për Kërkime Ekonomike (IFO) në Mynih.

Sipas saj, Shqipëria gjendet në pragun e objektivit për të shpenzuar 2 për qind të PPB-së në mbrojtje, më saktësisht 1.9 për qind krah shteteve si Franca dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2023.

Por, autoritetet shqiptare kanë regjistruar një rritje prej 0.6 për qind nga viti 2021 që barazohet me atë të Lituanisë.

Rritje më të madhe kanë vërejtur Polonia dhe Estonia, respektivisht 2.1 dhe 0.9 pikë në listën statistikore të IFO-s.

Vendet e NATO-s që nuk e përmbushën objektivin, 19 prej tyre, do të shpenzojnë gjithsej 50 miliardë euro më pak për mbrojtjen këtë vit sesa parashikon marrëveshja e 2014-ës.

Në vitin 2023, Gjermania do të shpenzojë 17.1 miliardë euro më pak se ndarja e planifikuar për mbrojtjen.

Kjo paraqet një mungesë të konsiderueshme në arkën e përbashkët të NATO-s, theksojnë autorët e raportit.

Nga ana tjetër spikat Polonia, e cila sipas pritshmërive do të ndajë 16.9 miliardë euro më shumë për mbrojtjen nga sa kërkon Aleanca e Atlantikut të Veriut në vitin 2023.

Pavarësisht sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, shumë vende të NATO-s po rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes me një ritëm shumë të ngadaltë.

Në vitin 2023, shumica e tyre mbeten jashtë objektivit për të shpenzuar 2 për qind të prodhimit të tyre ekonomik në mbrojtje, shkruhet në raport.

“Në Evropë, objektivi prej 2 për qind po arrihet pothuajse ekskluzivisht përgjatë kufirit lindor të NATO-s. Vendet anëtare më tej në perëndim po i rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes vetëm me kujdes”, thotë eksperti ushtarak i IFO-s, Marcel Schlepper.

Duke përjashtuar SHBA-të, vendet e NATO-s do të shpenzojnë mesatarisht 1.8 për qind të prodhimit të tyre ekonomik për mbrojtjen në vitin 2023. Duke përfshirë SHBA-të, shifra është 2.6 për qind. Kjo shton një shpenzim total prej 1.2 trilion euro.

Për këto përllogaritje, buxhetet aktuale të anëtarëve të NATO-s u konvertuan sipas një qasjeje sistematike dhe më pas u lidhën me produktin e parashikuar ekonomik, i cili bazohej në parashikimet e rritjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2023.

Synimi

Vendet e NATO-s mund të bien dakord që këtë verë të shpenzojnë të paktën 2 për qind të prodhimit të tyre ekonomik për mbrojtjen, shkruan kompania mediatike “Bloomberg”.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg dhe ministrat e mbrojtjes të aleancës do të fillojnë të diskutojnë objektivin kur të takohen në Bruksel për dy ditë duke filluar nga e marta.

Kjo, me synimin për të rënë dakord për një rishikim deri në samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius në korrik.

Vendet e NATO-s janë zotuar të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, por shumë vende – duke përfshirë Luksemburgun, Kanadanë dhe Italinë – janë ende duke luftuar për të përmbushur udhëzimin e vjetër.

Kjo e bën të vështirë për NATO-n që të forcojë ndjeshëm objektivin, gjë që mund t’i bëjë aleatët të bien dakord për një nivel prej 2 për qind, thonë zyrtarët dhe diplomatët aktualë.

Vendet e NATO-s po zhvillojnë gjithashtu udhëzime në rast të pjesëmarrjes së shteteve të Aleancës në një konflikt me intensitet të lartë në rast të zbatimit të nenit 5 për mbrojtjen e ndërsjellë ose në rast të veprimeve ushtarake jashtë objektit të këtij neni.

Sipas burimeve të njohura me çështjen, dokumenti sekret do të përshkruajë mënyrat që vendet e NATO-s të përfshihen njëkohësisht në një konflikt me intensitet të lartë, një të ashtuquajtur konflikt të Nenit 5, në të cilin aleatët do të duhet të mbrojnë njëri-tjetrin, si dhe në ngjarje të ngjarjeve ushtarake jashtë objektit të nenit 5.

Neni 5 është dispozita e NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë, e cila parashikon mbrojtjen e një shteti anëtar nga të gjithë aleatët nëse ai sulmohet.

Sipas një zyrtari të lartë të NATO-s, anëtarëve të aleancës do t’u kërkohet të ripërqendrojnë investimet në forcat dhe asetet e nevojshme për mbrojtjen kolektive, të tilla si trupa më të rënda dhe mbrojtje më të fuqishme ajrore dhe raketore.

Dokumenti do të theksojë gjithashtu nevojën për të rritur investimet në modernizimin digjital dhe nevojën për përdorim gjithëpërfshirës të të dhënave të marra nga forcat e armatosura.

Pas miratimit të parimeve drejtuese, komanda ushtarake e NATO-s do të përpunojë kërkesat për secilin anëtar të Aleancës në muajt në vijim.

Kuota 2%, “jo e pamundur” për Shqipërinë në NATO

NATO tregon se sa shpenzon Shqipëria për mbrojtje, vetëm 7 anëtare kapin kuotën 2 %

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore