Shqipëria

Shqipëria përballë flukseve migratore


Në kërkim të një jete më të mirë, larg vendit tënd. Të shumtë janë ata që zgjedhin të marrin statusin e azilkërkuesit. Që kur filloi Pranvera Arabe dhe, më pas, kriza në Siri, gjendja e emigrantëve dhe refugjatëve u përkeqësua.

Sipas të dhënave të botuara nga Qendra Evropiane dhe Fondacioni Konrad Adenauer, miliona njerëz kanë kërkuar azil në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

Albanian Post u fokusua te këto të dhëna, duke parashtruar pyetjen: Si kanë depërtuar azilkërkuesit drejt vendeve të BE-së?

Porta hyrëse kryesore kanë qenë kryesisht vendet e Mesdheut. Një pjesë ka përdorur si “urë kalimi tranzit” vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Në disa raste, ata kanë zgjedhur të qëndrojnë te këto vende, duke kërkuar azil.

Sipas të dhënave të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Shqipëria mbetet një vend tranzit për azilkërkuesit dhe refugjatët.

Mundësitë e kufizuara socio-ekonomike kanë shkaktuar lëvizjen e tyre drejt vendeve fqinje.

Shqipëria, vend tranzit

Në tremujorin e fundit të 2017-ës dhe 2018-ës, Shqipëria pa një rritje të konsiderueshme të mbërritjeve të azilkërkuesve.

Në 2019-n, numri i azilkërkuesve në vendin tonë u rrit me 49.5% krahasuar me vitin 2018.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, azilkërkuesit me origjinë nga Iraku dhe Siria zinin 62.4% të azilkërkuesve në 2019-n.

Duke iu referuar të dhënave, vihet re se 2 mijë e 408 azilkërkues janë nga Iraku dhe 1 mijë e 682 azilkërkues nga Siria.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, vihet re se, në total, 6 mijë e 557 persona rezultonin azilkërkues.

Kryesisht azilkërkuesit janë me origjinë nga Iraku, Siria, Maroku, Algjeria, Pakistani dhe Afganistani.

Sa persona kanë fituar nënshtetësinë shqiptare?

Numri i personave që kanë marrë nënshtetësi shqiptare në vendin tonë pësoi rritje në 2019-n. 485 persona fituan nënshtetësinë shqiptare.

Nëse do ta krahasonim këtë shifër me një vit më parë, numri i personave që morën nënshtetësi shqiptare u rrit me 40.6%.

Flukset migratore

Ashtu si e gjithë Evropa, apo Ballkani Perëndimor, edhe Shqipëria u prek nga flukset migratore.

Ato përfshijnë kryesisht: refugjatë, azilkërkues, migrantë, viktima të trafikimit, të mitur të pashoqëruar, si dhe persona pa shtetësi.

Shqipëria, nisur nga numrat në rritje, përforcoi koordinimin me homologët qeveritarë, organizatat joqeveritare, agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara (KB), si dhe koordinimin me donatorët dhe komunitetin diplomatik për të siguruar gatishmërinë.

Tanimë, Shqipëria ka një sistem azili. Ai realizon funksionimin e plotë të procedurave, tek të cilat përfshihet përcaktimi i statusit të refugjatit te personat që kërkojnë azil.

Strehimi i shtetasve të huaj në Shqipëri

Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit (QKPA) është e vetmja ku strehohen dhe trajtohen shtetasit e huaj që kërkojnë mbrojtje në Shqipëri.

Ajo u ndërtua nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) me fonde të Bashkimit Evropian. QKPA-ja menaxhohet nga fondet e buxhetit të shtetit.

Në këtë qendër akomodohen edhe të huajt, të cilëve u refuzohet aplikimi për azil, duke qëndruar te këto zyra deri në përfundimin e procedurave të ankimit.

Sipas raportit vjetor të vitit 2019, QKPA-ja akomodoi në total 6 mijë e 700 azilkërkues. Një numër shumë më i lartë, krahasuar me vitin 2018, duke u rritur me 150% më shumë.

Një vlerësim i kryer nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri gjatë 2018-ës, tregoi për një rritje të numrit të personave të ndaluar në zonat kufitare: u ndaluan 3 mijë e 88 persona në gjashtë muajt e parë të 2018-ës, krahasuar me 1049 përgjatë 12 muajve të një viti më parë.

Numri në rritje i tyre, paralel u shoqërua më kërkesa të shumta për azil. Ato arritën në 1 mijë e 901 gjatë gjysmës së parë të 2018-ës, nga 309 në 2017-n.

Në periudhën janar-nëntor 2018, 45.3% të të ndaluarve deklaronin se ishin nga Siria (24 mijë e 561, nga të cilët 2 mijë e 37 kërkonin azil), nga Pakistani (824, prej të cilëve 623 kërkonin azil) dhe Iraku (533, prej të cilëve 407 kërkoni azil).

Këto vende ndiqeshin nga Algjeria, Libia, Maroku, Afganistani, Jemeni dhe Irani në numra më të pakët.

Në vitin 2019 u vu re një rënie e konsiderueshme e numrit të emigrantëve të parregullt në BE, 140 mijë emigrantë të parregullt, krahasuar me 2 milionë në vitin 2015. Shumicës prej tyre iu refuzua kërkesa për azil në Shqipëri.

Një nga vështirësitë kryesore që haset, sipas Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), lidhet me përmbushjen në kohë të kërkesave të azilkërkueseve dhe emigrantëve të parregullt, me qëllim garantimin e plotë të të drejtave të tyre.

Shqipëria, përgjithësisht, ka një kuadër të mirë ligjor dhe institucional për sa i përket azilit.

Sipas IDM-së, përgjatë viteve të fundit, Shqipëria u përball me një fluks në rritje të emigrantëve të parregullt që hynin kryesisht përmes kufirit jugor me Greqinë.

Marrëveshja Shqipëri-BE-FRONTEX

Në vitin 2019, Shqipëria arriti marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes saj dhe BE-së. Kjo ishte e para e kësaj natyre që u nënshkrua me një vend jashtë BE-së.

Marrëveshja me Agjencinë Evropiane të Rojave Bregdetare dhe Kufirit, FRONTEX, për menaxhimin e kufijve, synon forcimin e bashkëpunimit në fushën operacionale të Shqipërisë me vendet e BE-së, për monitorimin e kufijve, migracionit të paligjshëm, si dhe kundër krimit ndërkufitar.

Më 17 mars 2020 marrëveshja me FRONTEX-in u rinovua për menaxhimin e kufijve, duke e çuar në një stad më të lartë bashkëpunimin e strukturave të kufirit dhe emigracionit me Agjencinë Evropiane të Rojës Bregdetare dhe Kufitare.

Armela Xhaho, studiuese pranë IDM-së, në një artikull shkruan se “kapacitetet pritëse të Shqipërisë për të përballuar qoftë dhe flukse të ulëta migratore, janë të limituara. Kjo kryesisht për shkak të burimeve të pamjaftueshme si nga ana infrastrukturore, apo edhe njerëzore”.

Përballë një kuadri ligjor të mirëpërcaktuar, çfarë kapacitetesh pritëse do të ketë Shqipëria nëse do të përballet me një fluks të ri migrator? Çfarë do të rezervojë e ardhmja për azilkërkuesit në këtë vend?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore