Shqipëria

Shqipëria nis stërvitjen ushtarake më të madhe në historinë e vendit


Shqipëria do të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23” ku rreth 24 mijë trupa shumëkombëshe do të jenë pjesëmarrëse, duke e bërë atë më të madhin në historinë e vendit si aleat i NATO-s.

Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe do të zhvillohet në Tiranë nga data 22 maj deri më 3 qershor.

Stërvitja “Defender Europe” është një stërvitje vjetore, shumëkombëshe, e përbashkët në shkallë të gjerë, në shkallë të gjerë, e drejtuar nga SHBA-të, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi më herët se Shqipëria do të luajë rol kyç në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

“Nis stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s. Shqipëria, si partner i besueshëm dhe si nyje strategjike e sigurisë rajonale, do të luajë një rol kyç në këtë stërvitje të rëndësishme, duke treguar angazhimin tonë maksimal për paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkruan kreu i Qeverisë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se më 22 maj do të nisë stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-ve, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s.

“Shqipëria, si partner i besueshëm dhe si nyje strategjike e sigurisë rajonale, do të luajë një rol kyç në këtë stërvitje të rëndësishme. Krenarë për këtë rol, duke treguar mbështetjen dhe angazhimin tonë maksimal për të gjithë ushtarakët dhe personelin që janë pjesë e këtij misioni të rëndësishëm”.

Sipas tij, “bashkëpunimi dhe mbështetja jonë, thelbësore për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Dy vite më parë, Tirana ishte një nga organizatorët e “Defender-Europe 2021”, stërvitja në shkallë të gjerë që përfshinte 30 mijë trupa amerikane dhe forca të NATO-s nga 26 vende, e cila filloi më 4 maj dhe vazhdoi deri në qershor me disa stërvitje të lidhura në të gjithë kontinentin.

Kjo ishte stërvitja e parë e madhe nën komandën e ushtrisë së re të kombinuar të SHBA-ve në Evropë dhe Afrikë dhe u fokusua në demonstrimin e aftësisë së komandës për të shërbyer si komandë e komponentit tokësor të forcave të kombinuara/përbashkëta për operacione luftarake në shkallë të gjerë në tokë nëpër teatro të shumtë.

Qëllimi i stërvitjes “është të testojë aftësitë tona në gamën e plotë të përvojave që ne angazhohemi në ushtri”, do të shprehej gjenerali i Forcave Ajrore Tod Wolters, komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, në ceremoninë e hapjes së stërvitjes më 4 maj në Portin e Durrësit.

Gjatë gjithë Defender-Europe 21, Wolters tha, “ne do të hedhim një vështrim në hyrjen e përbashkët me forcë, do të përmirësojmë mbrojtjen tonë të integruar ajrore dhe raketore, do të përfshihemi në ushtrime me zjarr të drejtpërdrejtë dhe do të kulmojmë me një post komandimi ushtrim. Ato ngjarje na detyrojnë të përmirësojmë muskujt dhe intelektin tonë, por në fund të ditës, ne shpresojmë dhe e dimë se do të përmirësojmë gatishmërinë tonë në të gjitha fushat”.

Defender-Europe 2020, e cila do të ishte stërvitja më e madhe e Ushtrisë në Evropë në dekada, u zvogëlua pasi u përhap pandemia COVID-19.

Pas përfundimit të stërvitjes, autoritetet shqiptare do të fillonin menjëherë nga puna për të mirëpritur sërish një stërvitje po aq të madhe, nën emrin Defender 2023.

Një konferencë koordinuese, u zhvillua asokohe mes ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadores amerikane Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak”, shprehej në fjalën e mbajtur ministri Peleshi. “Konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike për projektin e ri”.

Sipas ministrit, stërvitje të tilla, tregojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Po ashtu, edhe angazhimin e madh të vendit në NATO.

“Të shohësh flamujt e vendeve tona në uniformat e atyre që stërviten krah për krah, dërgon një mesazh të fuqishëm për miqtë tanë. Po ashtu edhe për kundërshtarët tanë”.

Kështu ka deklaruar nga ana tjetër ambasadorja Kim, në fjalën e saj përballë trupave ushtarake.

Sipas Kim, Shqipëria dhe SHBA-të nuk do të prapësohen nga mbrojtja e vendeve mike.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Begaj. Ai është i bindur se mesazhi i kësaj iniciative, është mjaft i qartë për të gjithë.

Ndërsa Kim, ravijëzoi edhe faktin se “më shumë se çfarë ka bërë Shqipëria, nuk mund të kërkohet”.

Më 17 maj 2021, kontingjenti i parë me 267 ushtarë amerikanë, zbarkoi në Shqipëri.

Në tërësi, në dy muaj, rreth 6 mijë trupa amerikanë fluturuan për stërvitjen Defender 2021 në vend.

Nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, ajo u cilësua si një sukses i madh për Shqipërinë dhe forcat aleate të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore