Shqipëria

Shqipëria në finalen e Eurovision, sa gjasa ka të fitojë Albina Kelmendi?


Festivali më i madh muzikor në kontinentin e vjetër, Eurovision Song Contest, do të mbajë natën finale të shtunën e 13 majit, me 26 shtete, të cilat do të kërkojnë të rrëmbejnë trofeun e muzikës kontinentale.

Mes të 26 vendeve finaliste, radhitet edhe Shqipëria, me paraqitjen e mirë që Albina dhe familja Kelmendi bënë në gjysmëfinalen e dytë, të mbajtur të enjten e 11 majit, ku u kualifikuan të parët për në natën përmbyllëse.

Mirëpo, si favorite, ajo nuk shihet aspak për garën e çmimit të madh.

Madje, Shqipëria, në bazë të kuotave zyrtare nga faqja e Eurovision, radhitet si shteti me më pak gjasa për të triumfuar në fund.

Kompanitë më të mëdha të basteve reflektojnë të njëjtën pasqyrë, duke i dhënë Shqipërisë më pak se 1% shanse të fitores së çmimit të madh.

Kjo gjithsesi, mund të mos i ndalë ndoshta fanatikët të vendosin kuota për vendin e shqiponjave, duke rrezikuar ndonjë shumë të vogël, e cila mund t’i shpërblente më pas deri në 1000-fish më shumë fitime.

Përpos kësaj, situata nuk është krejtësisht dëshpëruese.

Pjesa më e madhe e vendeve kanë shanse po aq sa Shqipëria për të fituar, përfshi edhe ato të fuqishme.

Fjala bie, edhe shtete si Gjermania, Portugalia, Sllovenia, apo vendet e rajonit si Serbia, kanë shanse 1 në 1001, që ta fitojnë spektaklin.

Më e kuotuara e çastit duket suedezja Loreen me këngën e saj Tattoo. Një fituese e mëparshme e Eurovision, në vitin 2012, me këngën Euphoria, ajo do të kërkojë ta rrëmbejë titullin për të dytën herë, duke u bërë kështu e para që e arrin.

Koeficienti i saj për fitore është mesatarisht 1.45, ose më saktë ka 53% mundësi të radhitet e para.

Pretendent po ashtu është edhe reperi finlandez Kaarija, i cili ka marrë pëlqyeshmëri dhe ka 22% gjasë të fitojë sipas parashikimeve, me një koeficient 4.

Më poshtë, vijnë Ukraina, me 6% shanse fitoreje, Izraeli me 4%, e më tej Norvegjia, Spanja dhe Franca me 2%.

Shtete të tjera si Italia, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, apo Kroacia, kanë më pak se 1% gjasë të fitojnë, por koeficientet e tyre variojnë nga 126, në 151.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore