Shqipëria

Shqipëria “ndjek” hapin e BE-së për turistët rusë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të mërkurën e 4 majit se qeveria shqiptare nuk kishte ende një vendim në lidhje me kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ndalimin e turistëve rusë në vendin tonë.

Por, kreu i qeverisë shqiptare garantoi se Shqipëria do të ishte e linjëzuar me vendimet e Bashkimit Evropian.

“Vendimet tona janë të linjëzuara me vendimet e Bashkimin Evropian. Nuk ka një vendim të linjëzuar të Bashkimit Evropian dhe për sa kohë nuk ka një vendim, ne jemi duke vazhduar me të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Në rast se do të ketë një vendim të linjëzuar, ne do të linjëzohemi me Bashkimin Evropian”, shtoi kryeministri.

Zelensky i bëri thirrje Republikës së Shqipërisë që të ndalonte anijet ruse nga portet shqiptare dhe të vendoste kufizime për turistët rusë.

Deklarata përkatëse erdhi gjatë fjalimit të tij historik në Kuvendin e Shqipërisë.

“Unë ju kërkoj të ndaloni anijet ruse nga portet dhe të kufizoni fluksin e turistëve rusë, pasi nuk mund ta dini kurrë se kush vjen tek ju: ndoshta, ata janë vrasësit që ishin në Bucha, ose kasapët nga Mariupol-i, ose ata që tashmë janë duke punuar për të minuar shtetin tuaj”, theksoi presidenti ukrainas.

Edhe pse BE-ja nuk ka caktuar një sanksion të linjëzuar, ka përshtatur masat që vështirësojnë lëvizjen dhe qarkullimin e qytetarëve rusë në hapësirën ajrore evropiane.

Linja e BE-së

Fill pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, BE-ja refuzoi hyrjen në aeroportet e unionit për transportuesit rusë të të gjitha llojeve dhe i ndaloi ata të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të BE-së.

Kjo do të thoshte që aeroplanët e regjistruar në Rusi nuk mund të fluturonin mbi vendet e BE-së.

Qeveria e Republikës Çeke njoftonte më 25 shkurt, se nuk do të pranonte ose përpunonte më aplikime për viza, leje afatgjata dhe leje qëndrimi të përhershme për shtetasit rusë.

Lëvizje të ngjashme u ndërmorën nga Lituania, Estonia dhe Letonia.

Qeveria Letoneze pezulloi dhënien e vizave për shtetasit rusë për një kohë të pacaktuar, përveç rasteve që lidhen me kriza të veçanta humanitare.

Lituania ka pezulluar gjithashtu për një kohë të pacaktuar dhënien e vizave të reja për shtetasit e huaj rusë.

Polonia dëshiron nga ana e saj që vendet e zonës Shengen të ndalojnë plotësisht lëshimin e vizave për rusët për qëndrime afatshkurtra në 26 vendet e Shengen-it.

Qytetarët rusë përbëjnë numrin më të madh të vizave Shengen të dorëzuara në mbarë botën.

Vetëm në vitin 2019, në ambasadat dhe konsullatat e Shengen-it në Rusi janë paraqitur më shumë se katër milionë aplikime për viza.

Vizat e arta

Ndër sanksionet e vendosura nga qeveritë e vendeve evropiane ka qenë edhe ai i pezullimit të skemës së vizave të arta.

Greqia ka pezulluar programin e saj të vizave të arta për shtetasit rusë.

Ata nuk do të jenë më në gjendje të rinovojnë ose të aplikojnë për leje qëndrimi për qëllime investimi.

Ministrja e Drejtësisë së Irlandës, Helen McEntee, konfirmoi se vendi pezulloi skemën e vizave të arta për qytetarët rusë për shkak të pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

Vendimi për pezullimin e skemës së Vizës së Artë u prezantua edhe nga autoritetet në Portugali.

Autoritetet në Maltë kanë njoftuar gjithashtu se do t’i bashkohen listës së vendeve evropiane që kanë vendosur të ndalojnë skemën e vizave të arta për qytetarët nga Rusia.

Qeveria e Spanjës njoftoi po ashtu vendimin për të ndaluar lëshimin e skemës së vizave të arta për qytetarët e Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Përveç vendeve të Bashkimit Evropian, pezullimin e shitjes së pasaportave të arta qytetarëve të pasur rusë e kanë njoftuar edhe autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Statistika

Vizitorët rus dhe ukrainas zënë një vend të rëndësishëm në turizmin shqiptar.

Vitin e kaluar, nga dy shtetet lindore erdhën rreth 146 mijë e 680 shtetas nga 5.6 milionë shtetas të huaj që hynë në Shqipëri.

Mbi 36 mijë e 400 ishin shtetas rus, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre mbi 110 mijë shtetas ishin ukrainas.

Ndërsa në gjashtë vitet e fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 132 mijë turistë rusë.

Përballë krizës së lidhjes të shkaktuar nga lufta, Turqia është bërë shpejt rruga lidhëse më e përdorur për në Rusi, falë numrit të konsiderueshëm të fluturimeve.

Sipas të dhënave nga “Economist Intelligence Unit”, Turqia dhe Polonia do të pësojnë rënien më të madhe të numrit të vizitorëve ukrainas dhe rusë në terma absolutë.

Megjithatë, Qiproja dhe Letonia do të goditen më rëndë.

Në vitin 2019, rusët përbënin përkatësisht 20 për qind, 29 për qind dhe 36 për qind të të gjithë turistëve që vizituan Qipron, Malin e Zi dhe Letoninë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore