Rajoni

Shqipëria ndërmjetëson bisedimet Turqi-Greqi


Tirana do të jetë vendtakimi i bisedimeve midis Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu dhe atij grek, Nikos Dendias.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Cavosuglu në një dalje për mediat. “Jam gati të shkoj në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të vazhduar bisedimet me homologun tim grek”, deklaroi ai.

Takimi pritet të ndodhë në dy javët e ardhshme.

Kryeministri shqiptar ka zhvilluar javën e shkuar një vizitë zyrtare në Turqi. Pas saj, ai vizitoi shtetin grek në një vizitë jo-zyrtare.

Ka pasur hamendësime të shumta mbi rolin që ka pasur Rama në bisedimet Turqi-Greqi. Sipas raportimeve të fundit dhe deklaratës së Cavusoglu-së, Rama ka qenë ndërmjetës i bisedimeve.

“Rama ka dashur të zhvillojë një takim midis meje dhe Dendias në Tiranë”, deklaroi ai. Në atë periudhë, Dendias u izolua për shkak të Covid-it. Tashmë, kemi një ftesë zyrtare tjetër.  “Shpresoj që Greqia mos ta refuzojë ftesën dhe këtë mundësi. Bisedimet duhet të rinisin një herë e më parë”, tha Cavusoglu.

Mësohet se sot ka pasur dhe një bisedë telefonike midis Ramës dhe Cavusoglu-së. Detajet e bisedës nuk janë bërë ende të ditura.

Bisedimet midis Turqisë dhe Greqisë kanë qenë të ashpra kohët e fundit. Çështja e kufijve detarë ka mbizotëruar titujt e gjithë mediave ballkanike. Provokime ka pasur nga të dy palët, duke arritur deri në kërcënime gjatë muajve të fundit.

Greqia ka refuzuar disa herë thirrjet e Turqisë për dialog.

Tashmë, me ndërmjetësimin e Ramës, do të kemi një fazë të re dialogu të dy vendeve, në territorin shqiptar./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore