Shqipëria

Shqipëria mbetet ndër më të korruptuarat në rajon


Shqipëria vazhdon të mbetet në të njëjtat nivele të korrupsioni edhe për vitin 2020. Sipas raportit të fundit të Transparency International (TI), ka përmirësim me një pikë nga viti i kaluar, por kjo nuk na ngre në renditje.

Sipas TI-së, Shqipëria shënon një rezultat me 36 pikë. Kjo gjë, e vendos vendin tonë të 104-in nga 180 vende në renditje. Nga viti i kaluar, ka pasur një rritje me një pikë. Nëse i referohemi ndërkohë intervalit tetë vjeçar, që prej fillimit të raporteve të organizatës, Shqipëria ka një rritje me tre pikë.

Në të njëjtin nivel është edhe Kosova, duke shënuar 36 pikë në renditje. Serbia është dy pikë më lart, me 38. Nivelin më të ulët të korrupsionit në rajon ndërkohë, e shënojnë Mali i Zi dhe Kroacia. Kjo e fundit, ka 47 pikë, duke shfaqur qëndrueshmëri në nivelin e korrupsionit gjatë viteve të fundit.

Mali i Zi nga ana tjetër, ka arritur në 45 pikë. Nëse përjashtojmë nga ekuacioni Kroacinë si vend i Bashkimit Evropian, Mali i Zi ka nivelin më të ulët të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

Shtetet më të korruptuara në Ballkan mbetet Maqedonia e Veriut, së bashku me Bosnien dhe Herzegovinën. Të dyja shënojnë 35 pikë dhe mbajnë respektivisht vendin e 111-ë në renditje.

Si ka qenë ecuria e vendeve të Ballkanit Perëndimor për nivelin e korrupsionit?

Shqipëria ka treguar një rritje graduale që prej vitit 2012. Në tetë vitet e fundit, vendi ynë është rritur me tre pikë. Vetëm me dy pikë ndërkohë është rritur Kosova.

Kroacia ka pasur një rritje të lehtë me vetëm një pikë, por shfaq qëndrueshmëri. Mali i Zi nga ana tjetër, është shteti ballkanik, i cili ka pasur rritjen më të lartë në tetë vjeçarin e fundit. Katër pikët e fituara gjatë kësaj periudhe, e kanë çuar Malin e Zi në vendin e 67-ë në renditje.

Serbia, ka pasur rënie me një pikë që prej 2012-ës. Tashmë, ajo gjendet vetëm dy pikë përpara Shqipërisë. Rënie drastike ka pasur Bosnia dhe Herzegovina, me plotë shtatë pikë. Maqedonia e Veriut ndërkohë, mban rekordin e rënies, me tetë pikë më pak.

Kush është vendi më pak i korruptuar në botë?

Zelanda e Re dhe Danimarka vazhdojnë të jenë dy shtetet më pak të korruptuara në botë, sipas TI-së. Ato shënojnë 88 pikë në renditje. Në nivele shumë të larta mbeten edhe Finlanda, Suedia dhe Norvegjia. Vendet nordike shënojnë 85 pikë në raport.

Zvicra ka gjithashtu qëndrueshmëri, duke ndarë vendin e tretë në botë, me 85 pikë. Singapori ndërkohë, është vendi aziatik më pak i korruptuar. Reformat e mëdha në ngritjen e një sistemi financiar të qëndrueshëm, kanë dhënë rezultatin e pritur ndër vite për aziatikët.

SHBA-ja, çuditërisht, është ulët në renditje. Amerikanët ndajnë vendin e 25-ë, së bashku me Kilin, me 67 pikë. Kjo shifër është shumë më e ulët se ajo e Gjermanisë, e cila renditet e nënta në botë me 80 pikë. Rivalët e amerikanëve, Kina, renditen gjithsesi më poshtë, me 42 pikë. Kina njihet për problemet që ka me korrupsionin.

Afrika vazhdon të mbetet kontinenti me vendet më të korruptuara në botë. Thuajse të gjitha vendet e fundit, zihen nga shtete afrikane. Sudani i Jugut dhe Somalia, janë dy vendet më të korruptuara për vitin 2020./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore