Film

Shqipëria në Oscar 2021 me “Open Door” të Florenc Papas


Open Door - Dere e hapur - Florenc Papas
Open Door - Dere e hapur - Florenc Papas
Open Door – Dere e hapur – Florenc Papas

Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK)  përzgjodhi filmin “Open Door” (Derë e hapur) të Florenc Papas si filmi që do të përfaqësojë Shqipërinë në mbrëmjen e ndarjeve të çmimeve më të famshme të kinemasë. Ose siç quhet ndryshe Accademy Awards që do të mbahen më 25 Prill.

Talenti i Florencit ishte dalluar gjatë programeve kinematografike në Sarajevo Talents 2015, Berlinale Talents 2016, First Films First, Sofia Meetings, Midpoint, Torino Film Lab dhe Priforum.

Pikërisht në Sofia Meetings të 2017-s, ka njohur producentin italian Riccardo Neri-n për Lupin Film i cili është shprehur që “është ngazëllyer nga tregimi dhe nga vetë autori”. Donte “të provonte një rrugë të re, në një vend të afërt nga pikëpamja gjeografike, por të largët nga mënyra e punës”.

Papas është gjithashtu dhe programuesi kryesor i Festivalit Ndërkombtar të Filmit në Tiranë (Tirana International Film Festival – TIFF), ku edhe i është shfaqur për herë të parë publikut shqiptar filmi në fjalë.

Ndërsa premiera e parë botërore ka qenë në Festivalin e 25-të Ndërkombtar të Sarajevës në 2019.

Vlerësimet kanë qenë të shumta: në festivale ndërkombëtare, për regjinë dhe aktrimin, duke fituar dhe çmime të ndryshme.  Mes të tjerash: filmi më i mirë në Cineuropa dhe Filmi më i mirë për Publikun në Festivalin e Kinemasë Evropiane të Lecce-s 2020.

Komision përzgjedhës i QKK-së për filmin “Open door” përbëhej nga drejtori Eduart Makri, Esat Musliu, Bujar Alimani, Ndriçim Xhepa, Agron Domi dhe Genc Përmeti.

Kandidatë ishin edhe filmat “Verë pa kthim” me regji nga Besnik Bisha, “Takim në ajër” nga Ardit Sadiku. Votimi u krye nëpërmjet lidhjes online në respekt të masave kundra covid-19.

Dy motra, dy gra moderne, realiste dhe pragmatike përballen me jetën e tyre në fushën e një shoqërie tradicionale dhe konservatore, ku burrat janë gjithnjë të pranishëm, edhe pse në skenë dalin shumë pak.

Rudina, e interpretuar nga Luli Bitri, (Aktore më e Mirë në Festivalin e Filmit në Kanë për “Amnistia” të Bujar Alimanit) ka një jetë të kushtëzuar nga roli i saj si bashkëshorte dhe nga familja e burrit të saj.

Elma, e interpretuar nga Jonida Vokshi, është motra e vogël që kthehet nga Italia ku qendronte pa lejeqendrimi, shtatzënë dhe pa partner, e frikësuar nga përballja me të jatin.

Në një road movie si ky, shoqëruese e udhëtimit, është natyra shqiptare rrugës për në shtëpinë në fshat të babasë së dy motrave.

Regjisori Papas është shprehur se ka gjetur frymëzim në përballjen mes brezave, vlerave tradicionale dhe vlerave njerëzore, në kontekstin e “brendisë dhe dinamikave të familjes shqiptare dhe jo vetëm” të cilat ai i quan si “tharmi i kinemasë cilësore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore