Shqipëria

“Shqipëria ka emëtuar me sukses Eurobondin e ri me një afat maturimi 10-vjeçar”


“Shqipëria ka emëtuar me sukses Eurobondin e ri, me një afat maturimi 10-vjeçar, duke rikonfirmuar besimin e investitorëve dhe tregjeve ndërkombëtare financiare”.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paraditen e 24 nëntorit, përmes një daljeje publike.

Sipas saj, emëtimi i Eurobondit ka kapur vlerën e 650 milionë eurove, me një normë interesi prej 3.75%, pas daljes së tij në tregjet ndërkombëtare në fillim të muajit nëntor.

Ndër të tjera, ministrja ka shpjeguar se “shifra fikse e parave qё duhet paguar, është e njëjtë me vlerёn nominale me atë të herës së kaluar, të vitit 2018, të marrë borxh”.

Emetimi ka “rëndësi të lartë”, sipas Ibrahimajt, “jo vetëm për sigurimin e likuiditeteve dhe nevojave për dy vitet e ardhshme”, por edhe për garantimin e pjesëmarrjes së vendit tonë në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së saj, ministrja bëri me dije se “ofertat e investitorëve këtë radhë kanë arritur mbi 1 miliard lekë”, duke konfirmuar për besimin në “ekonominë shqiptare”.

“Ne presim qё raporti i borxhit ndaj GDP-së tё jetё nё nivelin e 82%, ndërsa rёnia duhet tё jetё 1% çdo vit”, tha ajo.

Ndërsa për afatin e maturimit, ministrja u shpreh se është më i gjatë se herët e tjera.

Më parë ka qenë 5-vjeçar dhe 7-vjeçar, por këtë herë, Ministria e Financave ka ndёrtuar njё strategji, pёr tё rritur periudhёn e maturimit tё borxhit, bazuar te risqet e ndërmarra.

Ky borxh i marrë nga qeveria shqiptare, “do të shkojë për nevojat e buxhetit për dy vitet e ardhshme”.

Gjithashtu edhe për mbështetje buxhetore për projekte madhore, infrastrukturore, nevoja për mbështetje të sektorëve kryesorë dhe reformave të ndryshme.

Qeveria shqiptare ka marrë borxh 650 milionë euro

Fillimisht shuma e kërkuar nga Qeveria shqiptare ishte ndërmjet 500 dhe 700 milionë euro. Por, duket se shuma përfundimtare i është afruar vlerës më të lartë.

Kërkesa nga investitorët ka qenë e lartë, duke e kthyer ekonominë shqiptare në një faktor me besueshmëri të lartë në tregje.

Mirëpo, vlera nuk është siguruar me normën më të favorshme që ka përfituar ndonjëherë Shqipëria.

Më parë, në vitet 2018 dhe 2020, norma e interesit ishte në 3.5%.

Vlera ndërkaq është e krahasueshme vetëm me atë të vitit 2020, ku shuma ishte po në 650 milionë euro borxh të emetuar.

Në 2018-ën, Shqipëria mori 500 milionë euro borxh me 3.5% normë interesi dhe afat maturimi shtatëvjeçar.

Ky Eurobond, ashtu si i deklaruar më herët, pritet të shlyejë një pjesë të borxhit të huaj dhe të financojë deficitin buxhetor.

Prej vitit 2010, ky është Eurobondi i pestë që Qeveria emeton.

Në tërësi, vetëm prej tyre, janë emetuar 1.8 miliardë euro, nëse llogaritet edhe ai i sotshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore