Shqipëria

Shqipëria (jo) tolerante ndaj lirive fetare, sipas DASH


Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar të enjten e 2 qershorit raportin vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore, përfshirë dhe Shqipërinë.

Në këtë raport, DASH dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Sa i përket vendit tonë, raporti thekson se Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit.

Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria, deklarohet aty, ka marrëveshje me Komunitetin Mysliman Shqiptar, Komunitetin Mysliman Bektashi, Kishën Katolike, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë.

Këto marrëveshje i njohin këto grupe si komunitetet kryesore fetare të vendit dhe trajtojnë kthimin e pronave dhe rregullime të tjera.

Gjithashtu, sipas raportit, qeveria legalizoi 62 ndërtesa në pronësi të grupeve fetare gjatë vitit 2021, që ishin ndërtuar pa leje ndërtimi, krahasuar me 92 sa ishin legalizuar në vitin 2020.

Ndërsa, 25 prona të tjera mbetën në shqyrtim.

Ndër të tjera, bëhet me dije se, pesë bashkësitë fetare, që kanë marrëveshje me qeverinë, vazhduan të shprehin shqetësime për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist.

Deklarata e tyre bazohet në qëndrimin se “korrupsioni, mungesa e njohurive të qeverisë për kompetencat dhe juridiksionin për çështjet e pronësisë dhe ngarkesat e mëdha të çështjeve në sistemin gjyqësor, penguan përmbushjen e kërkesave të tyre”.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila në vitin 2020 krijoi një regjistër zyrtar për të treguar sasinë, vlerën dhe pronësinë mbi pasuritë e patundshme, raportoi sfida në procesin e kthimit të pronave që shfrytëzohen nga palët e tjera, duke siguruar kompensim me prona të tjera, ose duke paguar kompensim në para.

Në raport thuhet edhe se drejtuesit e Vëllazërisë Ungjillore raportuan për vështirësi të vazhdueshme për sigurimin e lejes për ndërtimin e objekteve të adhurimit.

Komuniteti Bektashi dhe Komuniteti Mysliman raportuan sërish probleme për mbrojtjen e të drejtave të tyre mbi disa prona.

Pesë bashkësitë kryesore fetare vazhduan t’i kërkojnë qeverisë lirimin nga taksa të caktuara shtetërore, sipas marrëveshjeve dypalëshe.

“Megjithëse, mbështetën masat e qeverisë për parandalimin e COVID-19-tës, udhëheqësit fetarë u ankuan se qeveria nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë financiare për t’u përballuar me ndikimin e pandemisë, dhe se kufizimet në tubimet publike, penguan mbledhjen e fondeve”.

Raporti tregon se, në shtator, qeveria dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit hapën procesin e tenderit për ndërtimin e një muzeu në Vlorë, kushtuar përpjekjeve të vendit për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në deklarata përmendet dhe incidenti në Xhaminë e Tiranës.

“Një burrë sulmoi besimtarët në një xhami në Tiranë, duke plagosur pesë veta. Prokurorët kërkuan që sulmuesi, i konvertuar në Islam, të shtrohej në spital për shkak të një historie të sëmundjes mendore”.

Sipas një raporti të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), shumica e mediave në vend që u referohen hebrenjve, u përqendruan në kujtimin e Holokaustit dhe marrëdhënieve të mira të vendit me Izraelin, megjithëse kishte disa shkrime që përhapnin teori konspirative për hebrenjtë.

Ambasada amerikane, thuhet në raport, u bëri thirrje zyrtarëve qeveritarë që të përshpejtojnë trajtimin e pretendimeve për pronat dhe t’u kthejnë grupeve fetare ndërtesat dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste.

“Programet e mbështetura nga ambasada, duke përfshirë programet për të rinjtë, u përqendruan në zhvillimin e gjithëpërfshirjes së komunitetit, promovimin e fuqizimit të grave në komunitetet fetare dhe theksimin e përputhshmërisë së besimit fetar dhe demokracisë”, tregon raporti.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë, sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind.

Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare.

Shkollat publike janë sekulare, thekson raporti, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare.

Bashkësitë fetare drejtojnë 113 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore