Shqipëria

Shqipëria ‘ia hedh paq’, raportohet vetëm 1 vatër aktive zjarri


Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, ka bërë me dije këtë të shtunë se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, ku 19 prej tyre janë shuar.

Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 192 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe 25 mjete zjarrfikëse. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme është angazhuar në vendin e quajtur “Pigave Mesovun” edhe helikopteri i FA.

Aktualisht është aktive vatra në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, kjo vatër vazhdon të jetë aktive me intensitet të ulët, vijon angazhimi i forcave të shërbimit zjarrfikës për izolimin e saj.

Ndërsa, vatrat e shuara janë ato në fshatin Mal Bardhë dhe Skuraj, bashkia Kurbin; në vendin e quajtur “Pashallare”, në fshatin Tunjë, bashkia Gramsh; tek ish fabrika e tullave, midis lagjes “Nr.7” dhe lagjes “Nr.9”, të bashkisë Durrës; në lagjen “Shën Vasil” bashkia Himarë; në lagjen “Vanë”, bashkia Delvinë; në vendin e quajtur “Gjimoçik”, fshati Vajzë, bashkia Selenicë dhe në lagjen “Babicë”, bashkia Vlorë.

Gjithashtu është shuar zjarri në vendin e quajtur “Pigave Mesovun”, bashkia Delvinë; në fshatin Miliska, bashkia Fushë-Arrëz; në fshatin Reç, bashkia Malësi e Madhe; në fshatin Arst, bashkia Fushë-Arrëz; në njësinë administrative Rrethinat, bashkia Shkodër; në fshatrat Plezhë dhe Shkjezë, bashkia Vau-Dejës; në vendin e quajtur “Rrashkullaj”, bashkia Malësi e Madhe; në fshatin Otllak, bashkia Berat; në fshatin Arrëz, bashkia Dimal; në fshatin Kozare, Kuçovë; në fshatin Momël, bashkia Kavajë dhenë fshatin Floq, bashkia Fier.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të denoncojnë pranë strukturave të policisë së shtetit çdo rast të dyshuar  për zjarrvënie të qëllimshme si dhe të tregojnë kujdes në përdorimin e mjeteve ndezëse dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me zjarret”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore