Shqipëria

Shqipëria i kërkon zyrtarisht Këshillit të Evropës rishikimin e rezolutës për Kosovën


Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në median sociale Facebook, ku thekson se Kuvendi i Shqipërisë ka përcjellë zyrtarisht në Këshillin e Evropës, rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.

“Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi”.

Rama ravijëzoi se Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).

“Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti”.

Sipas kreut të qeverisë, rezoluta u është dërguar vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës; Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Shqipëria e angazhuar

Më 22 qershor 2022, ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i cili bëri me dije se Tirana do t’i drejtohej Këshillit të Evropës në Strasbourg, lidhur me pabazueshmërinë e raportit të Dick Martyt.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasbourg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, i cili bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty-t”, zbuloi fillimisht Rama asokohe.

Dick Marty

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut është një institucion brenda Këshillit të Evropës.

Rama bëri me faj influencën ruse mbi “përrallën e një shtëpie të verdhë dhe trafikut të organeve”.

“Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është e përsëritur nga ana e influencës ruse, si dhe duke pasur parasysh se në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dick Marty-n dhe raportin e tij, ishte shkaku pse u mor gjithë rruga për të shkuar te Gjykata Speciale”, shtoi kryeministri.

Sipas tij, për këtë dikush duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë, pasi ai tribunal është projektuar për t’i dhënë përgjigje akuza të Dick Marty-t.

Raporti i Dick Martyt nuk përmend Remin fare, Thaçin 26 herë - Gazeta Online INSAJDERI

Rezoluta kaloi në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me 125 vota pro, duke bashkuar mazhorancën dhe opozitën në qëndrime.

Duke shqyrtuar raportin, në vijim të rrjedhës logjike, në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore