Shqipëria

Shqipëria, histori suksesi që nga fillimi i krizës ekonomike


Shqipëria është shfaqur si një histori suksesi e papritur që nga fillimi i krizës ekonomike mbarë-evropiane e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Kështu shkruan kompania mediatike “bne IntelliNews”.

Vendi ynë ruajti një nga normat më të ulëta të inflacionit në rajon gjatë vitit të kaluar analizon botimi.

Në një kohë kur leku është në një rekord të lartë kundrejt euro-s dhe parashikimet tregojnë se Shqipëria do të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropën në zhvillim gjatë tre viteve të ardhshme.

Ashtu si pjesa tjetër e rajonit, Shqipëria pritet të regjistrojë një ngadalësim në vitin 2023, pasi inflacioni po ndikon në ekonomitë ndërkombëtare.

Megjithatë, pritet të ruajë një rritje që është dukshëm përpara mesatares për Evropën Qendrore dhe Juglindore, shkruan “bne IntelliNews”.

Kjo vjen pas një viti 2022 më të mirë se sa pritej, kur vendi arriti rritje ekonomike prej 4.8 për qind.

Në këtë mënyrë, autoritetet ruajtën parashikimin e rritjes së PBB-së për vitin 2023 në 2.6 për qind.

Ndërkohë, Banka Botërore parashikon rritje prej 2.8 për qind në vitin 2023, duke u përshpejtuar në 3.3 për qind në secilin nga dy vitet e ardhshme.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur parashikimin e tij në 2.3 për qind për këtë vit në Perspektivën e fundit Ekonomike Botërore (WEO), të publikuar më 12 prill.

Kjo, duke parashikuar se vendi do të vazhdojë të ndikohet negativisht nga kriza ekonomike globale e shkaktuar nga Lufta ruse në Ukrainë.

Vitin e ardhshëm, FMN-ja e sheh ekonominë në rritje me 3.3 për qind, ndërsa në vitin 2028 projeksioni është për rritje ekonomike 3.4 për qind.

Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW) e vendos Shqipërinë në mesin e tre vendeve me rritjen më të shpejtë nga 23 vendet që vlerëson nga Evropa Qendrore, Juglindore dhe Lindore dhe Azia Qendrore.

Rritja në Shqipëri, së bashku me ekonomitë e tjera të Evropës Juglindore, Kosovën dhe Rumaninë, do të tejkalojë vazhdimisht atë në rajonin e gjerë, sipas WIIW.

Ai parashikoi rritjen e Shqipërisë në 3.3 për qind në 2023, 3.8 për qind në 2024 dhe 4.0 për qind në 2025.

Inflacioni i Shqipërisë, ndonëse është rritur gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021 dhe gjatë gjithë vitit 2022, nuk ka ecur aq shpejt sa në vendet e tjera të rajonit.

Inflacioni arriti kulmin në 8.3 për qind në tetor – shumë më poshtë shifrave dyshifrore të regjistruara në disa vende fqinje – dhe që atëherë ka rënë.

Të dhënat më të fundit tregojnë se inflacioni u ul në një nivel mesatar prej 6.5 për qind në tremujorin e parë të 2023, nga 7.9 për qind një tremujor më parë.

Rënia ishte veçanërisht e shpejtë në muajin mars, kur inflacioni vjetor ra në 5.3 për qind.

Ivailo Izvorski, kryeekonomist për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, ia atribuoi inflacionit relativisht të ulët të Shqipërisë një kombinimi të kufijve të çmimeve të vendosura nga qeveria dhe faktit që ajo prodhon 100 për qind të energjisë elektrike nga hidrocentralet, gjatë një webinari më 3 maj.

Sektori i fortë i hidrocentraleve siguroi njëfarë izolimi nga kriza e vazhdueshme e energjisë, edhe pse nivelet e ulëta të ujit nënkuptonin se nuk mbulonte 85 për qind të kërkesës së brendshme të energjisë që do të mbulonte në një vit me reshje mesatare, tha një raport i fundit i Bankës Botërore.

Një faktor tjetër ishte kursi i lartë i këmbimit lek/euro. “Kursi i këmbimit ndaj euros vazhdoi të mbiçmohej (me 4,9 për qind në dhjetor), duke frenuar kështu transmetimin e inflacionit të importuar në ekonominë vendase”, thuhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore