Shqipëria

Shqipëria, e para në rajon për doza vaksinash në një ditë


Shqipëria ka qenë vendi me më shumë vaksinime brenda 24 orëve të fundit në rajon. Sipas revistës shkencore Our World in Data, në Shqipëri janë administruar 0.39 doza për 100 banorë më 19 prill.

Të dhënat i ka shpërndarë edhe vetë kryeministri Edi Rama në Facebook.

“Nuk ka nder më të madh për mua se sa udhëheqja e kësaj lufte për ju e me ju”, shkruan kryeministri.

“Fuqia që po tregojmë qysh nga dita e parë dhe nxjerrja së afërmi e Shqipërisë përtej tunelit të pandemisë, më shpejt se shumë të tjerë në Evropën ku jetojmë, do të mbetet në ndërgjegjen shqiptare si një provë e madhe e karakterit tonë”.

Pas Shqipërisë, renditet Kroacia me 0.37 doza të administruara. Serbia është lënë gjithashtu pas, me 0.34 doza për 100 banorë.

Vende të tjera që ndjekin janë Mali i Zi, Turqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Kosova ndërkaq, që prej pak ditësh ka marrë dozat e para, radhitet drejt fundit, ku pas lë vetëm Bosnja dhe Hercegovinën.

Vetëm 0.06 doza për 100 banorë administron Kosova. Boshnjakët ndërkaq, më pak se 0.01 doza.

Gjithsesi, këta të fundit, kanë përftuar mbi 200 mijë doza Pfizer nga Komisioni Evropian.

Të njëjtat statistika, i ka shpërndarë edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në Twitter-in e saj.

“Fuqia që po tregojmë qysh nga dita e parë dhe nxjerrja së afërmi e Shqipërisë përtej tunelit të pandemisë, më shpejt se shumë të tjerë në Evropën ku jetojmë, do të mbetet në ndërgjegjen shqiptare si një provë e madhe e karakterit tonë”, shkruan ajo.

Shqipëria ndërkaq, ka përftuar 145 mijë doza Pfizer ditën e sotme. Këto, do e çojnë totalin mbi 730 mijë vaksina të ardhura në vend.

Rreth 1.3 milionë të tjera pritet të mbërrijnë në javët në vazhdim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore