Shqipëria

Shqipëria e menaxhon efektin ekonomik të luftës në Ukrainë, por mund të rrezikojë shumë


Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka një efekt të drejtpërdrejtë për dy vendet e përfshira, por kjo nuk do të thotë se vendet e tjera – qofshin ato të Ballkanit Perëndimor apo evropiane – nuk do të kenë pasoja prej zhvillimeve atje.

Mbi të gjitha, për faktin se Rusia, duam apo nuk duam, është një ent tregtar i rëndësishëm në botë dhe për aspekte të caktuara, ka influencë edhe në Shqipëri, në sektorë si ai i drithërave apo vajrave vegjetalë.

Mbi efektet e mundshme të kësaj lufte, më konkretisht, në ekonominë shqiptare, ka folur për Albanian Post, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Për të, ndikimi në këto fusha gjithsesi, do të jetë i ulët, për shkak të ndërlidhjeve të ulëta.

“Varësia e fortë e kontinentit tonë nga furnizimet me naftë dhe gaz nga Rusia, si dhe rëndësia e tregut rus për prodhimet evropiane, lënë të kuptohet për një ndikim të fortë të sanksioneve në ekonominë e kontinentit tonë”, shpjegon Xhepa. “Ndërsa ndërlidhjet midis ekonomisë sonë shqiptare dhe asaj ruse janë në tërësi të ulëta, me vetëm 1.8% të shkëmbimeve tona me jashtë”.

Pikërisht për këtë fakt, sipas ekspertit, ndikimet do të mbeten të kufizuara.

Ato – shpjegon Xhepa – do të jenë të menaxhueshme përmes zhvendosjes në burimet e furnizimit nga ofertues të tjerë. Ndaj, do të mund të tejkalohen.

Ndërkohë që, më shqetësuese, sipas tij, do të jenë ndikimet indirekte.

“Ndikimet indirekte do të jenë më të forta përmes niveleve të larta të çmimeve që do të krijohen në tregjet globale, veçanërisht në Evropë. Kjo situatë do të shtojë presionet që tashmë janë në veprim prej gati një viti, duke detyruar bankat qendrore të rrisin normat e interesave”.

Mbi të gjitha, në optikën e Xhepës, kjo do të ndodhë nëse ekonomia evropiane do të zhytet në recension për shkak të krizës.

Megjithatë, shpjegon më tej ai, situata është në zhvillim ende dhe vlerësimet janë dinamike.

Por, jep edhe paralajmërimin se Qeveria shqiptare duhet të fillojë që tani përgatitjet, në varësi të situatës.

“Mbi të gjitha, këtë gjë duhet ta bëjë Ministria e Bujqësisë, për të parë mangësitë dhe për të ndihmuar fermerët me paketa ndihmëse”, përmbyll Xhepa.

Ndërsa, situata, i afrohet edhe më tej një pushtimi rus, sanksionet e mëdha perëndimore ndaj Kremlinit, kanë hasur një kundërpërgjigje të rusëve.

Mbi zhvillimet e mëtejshme ekonomike, ende duhet pritur për të parë dëmet reale që lufta po sjell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore