Shqipëria

Shqipëria do vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me Ukrainën, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me Ukrainën.

Lajmi u bë i ditur gjatë debatit të përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kjo e fundit, është mundësia që krerët e shteteve dhe qeveritë të mblidhen në selinë e OKB-së për të diskutuar çështjet botërore.

“Për fat të keq këtë vit shpresat dhe besimet tona janë copëtuar hidhur, e garancitë tona janë shkelur nga një luftë e paramenduar në kontinetin Evropian. Agresioni mizor i Rusisë ndaj fqinjit të saj Ukrainës”, u shpreh fillimisht kryeministri.

Kreu i qeverisë nënvizoi se në këto sesione bëhet kontrolli i përvitshëm i “shëndetit të botës”.

Sipas tij, bota po përballet me sfida të vazhdueshme ndaj paqes në shumë vende të ndryshme.

Kjo, përmes kërcënimeve të papranueshme edhe nukleare.

“Sulmi nuk është vetëm ndaj Ukrainës dhe popullit të saj, por është një sulm brutal ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane, e kartës së OKB-së, është një betejë e hapur mes një tiranie cinike të vjetëruar dhe një demokracie në lulëzim”, ravijëzoi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore