Shqipëria

Shqipëria dhe Holanda, dakord për integrimin dhe “Open Balkan”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij holandez, Mark Rutte

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu holandez, Mark Rutte, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët pas takimit të delegacioneve, ku kanë ritheksuar një dakordësim të plotë mbi disa prej çështjeve më kryesore për rajonin, si integrimi evropian, apo nisma rajonale “Open Balkan”.

Rama e bëri të qartë që, prej fjalës së tij të parë në konferencë, se vazhdimësia e raporteve mes dy vendeve sa vjen e rritet.

Ai vuri në dukje faktin se Amsterdami e ka mbështetur mjaft integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Po të njëjtën gjë e ka ravijëzuar edhe Rutte, por me një shtojcë.

Ai foli edhe mbi nismën rajonale “Open Balkan”, ku aktualisht marrin pjesë vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

“Ne e kuptojmë Ballkanin e Hapur”, tha Rutte, pasi u pyet mbi çështjen. “Kjo nismë është ndihmëse në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”.

Por, ajo që pengon realisht, është vetoja bullgare. Mbi të, dy kryeministrat bien sërish dakord, se duhet punuar shumë për ta zgjidhur përpara fundit të vitit.

Përparimi i Shqipërisë është i pamohueshëm për Rutten. Këtë e shprehin, sipas tij, edhe raportet e vazhdueshme pozitive të Komisionit Evropian. Ndaj, një “jo” e radhës do të ishte e pandershme karshi shqiptarëve.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte

Të dy politikanët u ndalën edhe te bashkëpunimi i ngushtë në vite midis sipërmarrjeve të vendeve përkatëse.

Bashkëpunime të tilla, si ato në fushën e sigurisë apo luftën ndaj krimit të organizuar, ishin po ashtu në vëmendje të bisedimeve.

Mbi situatën e rajonit, shqetësim i hapur u shpreh nga kryeministrat.

Rama, edhe pse mendon se nuk ka një rrezik real për shpërthim konflikti, thekson se situata nuk është e këndshme.

Çështje si ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut apo konflikti në kufirin Kosovë-Serbi, duhen marrë shumë seriozisht.

Rutte, nga ana tjetër, tha se më shumë vëmendje duhet të ketë nga BE-ja mbi rajonin. Mbi të gjitha, për zgjidhjen e këtyre konflikteve.

Një zgjidhje, që siç është thënë shpesh nga Rama, mund ta sjellë “Open Balkan” nëpërmjet heqjes së kufijve fizikë dhe mendorë mes vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore