Shqipëria

Shqipëria destinacioni i preferuar i turistëve, tejkaloi nivelet para pandemisë


Shqipëria renditet e para nga Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) si destinacioni me performancën më të mirë në rritje të flukseve turistike krahasuar me vitin 2019.

Kështu ka bërë me dije kryeministri i vendit, Edi Rama përmes një postimi në median sociale Facebook.

Bazuar në shifrat e publikuara nga kreu i qeverisë, Shqipëria ka një rritje prej 18%.

Sipas Barometrit më të fundit të Turizmit Botëror të UNWTO, mbërritjet ndërkombëtare të turistëve pothuajse u trefishuan në janar deri në korrik 2022 (+172%) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Kjo do të thotë se sektori rikuperoi pothuajse 60% të niveleve para pandemisë.

Shqipëria ishte një ndër destinacionet që tejkaloi nivelet e para pandemisë.

“Turizmi vazhdon të rimëkëmbet në mënyrë të qëndrueshme, megjithatë mbeten disa sfida, gjeopolitike dhe ekonomike. Sektori po sjell shpresë dhe mundësi për njerëzit kudo. Tani është gjithashtu koha për të rimenduar turizmin, se ku po shkon dhe si ndikon në njerëzit dhe planetin”, tha sekretari i Përgjithshëm i UNWTO-s, Zurab Pololikashvili.

Shifrat e sipërpërmendur përfaqësojnë një total prej 44 për qind të numrit total të të ardhurve të regjistruar në shtatë muajt e parë të këtij viti.

Heqja e kufizimeve të vendosura për të frenuar përhapjen e mëtejshme të Coronavirus-it dhe varianteve të tij të reja çoi gjithashtu në një rritje të ndjeshme të numrit të mbërritjeve ndërkombëtare.

Rreth 474 milionë turistë udhëtuan gjatë kësaj periudhe, krahasuar me 175 milionë në të njëjtët muaj të vitit 2021.

Evropa dhe Lindja e Mesme treguan rimëkëmbjen më të shpejtë, me mbërritjet që arritën përkatësisht 74% dhe 76% të niveleve të 2019-ës.

Po ashtu, Evropa mirëpriti pothuajse tre herë më shumë ardhje ndërkombëtare sesa në shtatë muajt e parë të vitit 2021.

Kompania kryesore e të dhënave sa i takon udhëtimeve në botë, ForëardKeys, në raportin e saj të fundit shkruan se udhëtimet drejt Shqipërisë janë rritur me 28%.

Kjo është rritja më e madhe në rajon gjatë sezonit të verës 2022.

Sipas, ForwardKeys udhëtimit në rajonin juglindor të Evropës tejkaluan ndjeshëm nivelet e para-pandemisë.

Fill pas Shqipërisë – e cila përfaqëson më pak se 1% të tregut të fluturimeve evropiane – renditen Turqia dhe Greqia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore