Shqipëria

Shqipëri-RMV/ Dy qeveritë takohen në Shkup, për thellimin e bashkëpunimit


Qeveria shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët në Shkup, me në vëmendje thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve kufitare.

Në bazë të agjendës zyrtare të bërë me dije nga Qeveria maqedonase, pritja zyrtare e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, nga homologu i tij, Dimitar Kovaçevski, do të bëhet në orën 10:30, me ceremoni shtetërore.

Më pas, në orën 10:45, do të ketë një takim kokë më kokë mes të dyve, i cili do t’i paraprijë edhe sesionit plenar të mbledhjes mes dy qeverive, me fillim zyrtar në orën 11:00.

Në këtë rrafsh, fjalën të parët do ta kenë dy kryeministrat e më pas, në diskutim të hapur, edhe ministrat e kabineteve.

Ora 13:00 do të shënjojë edhe një konferencë të përbashkët mes Ramës dhe Kovaçevskit dhe mbyllja e vizitës, do të shënohet në orën 14:10, me fotografinë familjare të përbashkët të kabineteve.

Kjo mbledhje vjen si e para e këtij formati mes dy qeverive, ku duhet theksuar se në kabinetin maqedonas, ka një numër të madh ministrash shqiptarë.

Kjo, pasi koalicioni i partisë së majtë LSDM, përbëhet edhe nga partitë shqiptare, me peshën kryesore tek Bashkimi Demokratik për Integrim.

Po ashtu, me rëndësi është edhe të përmendet faktori i përbashkët i hapjes së njëkohësishme të negociatave me Bashkimin Evropian për të dy vendet.

Për vite të tëra, në bazë të parjes së rrugëtimit evropian të përbashkët të dy vendeve, ka pasur ngërçe të ndryshme, ku fillimisht Tirana, e më pas Shkupi, u bënë faktorë pengues për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për palën tjetër.

Gjithashtu, nisma rajonale e njohur si “Open Balkan”, ku marrin pjesë përveç Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe Serbia, është faktor përbashkues mes dy palëve.

Kjo iniciativë ka bërë që marrëveshje e memorandume të shumta të nënshkruhen mes tre shteteve, me rëndësi strategjike si për Shqipërinë, edhe për Maqedoninë e Veriut.

Lëvizja e lirë e qytetarëve përfshihet në të, ashtu si korsitë e gjelbra kufitare për mallrat, apo njohja reciproke e diplomave dhe liria e tregut të punës me lehtësim të procedurave për aplikantët si rezidentë.

Një sërë marrëveshjesh të tjera për forcimin e bashkëpunimit, priten edhe në këtë mbledhje të përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore