Shqipëria

Shqipëri: Ministria e Mbrojtjes u shpërndan bashkive 10 milionë dollarë për Emergjencat Civile


Ministria e Mbrojtjes shqiptare u ka shpërndarë njësive të vetëqeverisjes vendore 10 milionë dollarë për të përballuar Emergjencat Civile.  Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministria mëngjesin e 20 prillit.

“Në bazë të ligjit 45/2019, ‘Për mbrojtjen civile’, dhe buxhetit të vitit 2022, Ministria e Mbrojtjes u ka shpërndarë fondin 61 bashkive të Republikës së Shqipërisë”, thuhej në njoftim.

Ky fond është shpërndarë duke u bazuar në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive.

Sakaq në njoftim theksohej se kjo do t’i ndihmojë bashkitë në përmbushjen e detyrimeve të tyre në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

“Por, ky është vetëm fondi që u akordohet bashkive nga buxheti i shtetit, pasi sipas ligjit 45/2019 njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të planifikojnë fonde të tjera shtesë nga të ardhurat e veta vendore, nga fondet që u vijnë drejtpërdrejt nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore, donacionet etj”, përmbyllej njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore