Lajme

“Shqetësimet e KE-së për Vettingun s’duhet të neglizhohen – Ministria e Drejtësisë s’i ka bindur ndërkombëtarët”


Koncept Dokumenti për Zhvillimin e Procesit të Vetting-ut në Sistemin e Drejtësisë

Për juristin Arbër Jashari, shqetësimet e Komisionit Evropian, për Vettingun në Kosovë “nuk bën assesi të neglizhohen”, pasi KE vlerësoi se Kosova qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vettingut.

Jashari konsideron që të gjithë janë pro një sistemi gjyqësor më të mirë, “por duhet të kemi kujdes, sepse mund hymë në procese që nuk e dimë ku na qojnë”.

“Konsideroj se akoma nuk janë shterur të gjitha mekanizmat, për të ardhur te karta e fundit Vettingu. Problemi numër një është të ndërtohen panele Vettingu, profesionale dhe të besueshëm, që do të ishin të pranueshëm për shumicën e akterve”, tha Jashari për Albanian Post.

“Na e dimë se sa e vështirë dhe me sa polemika është përcjellë formimi i një Komisioni për Provim të Jurisprudencës, imagjino se çka mund të ndodhë me njerëzit që do ta kenë në dorë fatin e të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”.

Pos kësaj, ai mendon se ka rrezik që të dëmtohet zhvillimi i mirëfilltë i jetës institucionale.

“KGJK, KPK, gjykata dhe prokurori mund të mbesin pa bartës të funksioneve, çka do të shkaktonte dëme të parikuperueshme për qytetarët, pasi procedurat gjyqësore do të stërzgjateshin edhe me tepër”, shtoi ai.

Arbër Jashari, jurist

 

Për, Ehat Miftaraj, nga Instituti Kombëtar i Drejtësisë (IKD), Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2021, është ndër raportet me vlerësimin “më negativ”, që është bërë lidhur me sistemin e drejtësisë në pesë vitet e fundit.

Ai në një prononcim për Albanian Post, thekson se e vetmja pjesë pozitive që ky raport e identifikon për vitin 2021, “është miratimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe progresi në luftimin e terrorizmit”.

“Raporti i ri thekson faktet se sistemi drejtësisë në Kosovë është jo efikas, jo profesional, me mungesë integriteti, subjekt i ndikimeve dhe ndërhyrjeve politike, me mungesë të theksuar të rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe këtë vit ky raport thekson mungesën e integritetit të Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor”, është shprehur ai.

Sa i përket domosdoshmërisë së vazhdimit të këtij procesi, Miftaraj ka potencuar se “nuk ka tjetër alternativë”.

“Mbetet te Qeveria se sa do të jetë në gjendje të komunikojë me të gjitha palët e interesit dhe të bind të njëjtit lidhur me rëndësinë e këtij procesi”, potencoi ai.

Sipas tij, Procesi i Vettingut duhet të përcillet me besueshmëri.

“Vet ky proces duhet të ketë integritet të pakontestueshëm në të gjitha fazat e tij, e që ne besojmë se i ka munguar kryesisht për shkak të mos menaxhimit të duhur deri në këtë fazë”, deklaroi Miftaraj.

Ai tregon se IKD ka qenë pjesë e grupit punues lidhur me hartimin e koncept dokumentit për Vettingun.

“Si pjesë e grupit punues por edhe mbi bazën e takimeve të rregullta që IKD ka me partnerët ndërkombëtarë, na është bërë e ditur se nga fillimi i këtij procesi se Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë në gjendje të bind partnerët ndërkombëtarë se kjo qeveri ka kapacitete dhe ekspertizë për të zhvilluar një proces të tillë”.

Madje, shtoi se ky institut gjatë këtyre muajve ka qenë i shqetësuar lidhur me ndryshimin e qëndrimeve të kësaj qeverie për këtë proces.

“Polarizimi i skajshëm Qeveri-KGJK dhe KPK, akuzat dhe kundër akuzat publike, ndikojnë tek humbja e besimit lidhur me një proces të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë të Vettingut”.

Juristi tjetër, Artan Çerkinin, mendon se “fillimisht duhet të behet një analizë e sistemit të drejtësisë, e pastaj në bazë të saj të përcaktohen modalitetet e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Osmani s’pajtohet me raportin e BE-së për Vettingun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e procesit të vettingut ka thënë se s’pajtohet me rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian, të cilat thonë se gjatë kohë së hartimit të raportit, Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vettingut.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht se në raport thuhet që vettingu duhet të jetë masë e fundit që merret në Kosovë, si presidente inkurajon institucionet që ta vazhdojnë këtë proces.

“Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i menjëherë i gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente nuk pajtohem me këtë konstatim. Mungesa e vettingut do ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi.”, është shprehur ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Koncept Dokumenti për Zhvillimin e Procesit të Vetting-ut në Sistemin e Drejtësisë

Gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës pritet t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut.

Përmes tij, brenda pesë viteve synohet të bëhet verifikimi i dijes së tyre, i integritetit etik dhe i pasurisë.

Sipas Koncept Dokumentit për Zhvillimin e Procesit të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë, i cili është votuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Këtë dokument e ka siguruar edhe Albanian Post, e ku shkruhet se Vettingut do t’i nënshtrohen edhe një kategori e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese brenda sistemit.

“Nga momenti i funksionalizimit të dy mekanizmave (sekretarisë dhe paneleve) do të fillojë faza hulumtuese krahas fazës së parë të Vettingut për të gjithë anëtarët e KGjK/KPK-së. Në të njëjtën kohë, kjo fazë përfshinë edhe të paktën pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorin e Shtetit. Të gjithë këta do iu nënshtrohen Vettingut nga mekanizmat respektiv për gjyqtarë apo prokurorë”, thuhet në dokument.

Ndërkaq sipas këtij dokumenti pas përfundimit të Vettingut për subjektet në kuadër të fazës së parë, mekanizmi përkatës do të paraqesë në KGJK dhe KPK rezultatet e Vettingut për nga një apo dy kandidat përnjëherë.

“Sapo të arrihet Vettingu i anëtarëve të këshillave dhe Panelit të Gjykatës Supreme që shqyrton ankesat për shkarkim, do të mund të kalohet në fazën e dytë të Vettingut. Në fazën e dytë fillimisht do t’i nënshtrohet Vettingut Gjykata Supreme në tërësi dhe do të pritet zëvendësimi i gjyqtarëve që potencialisht do të shkarkoheshin. Paralelisht, do t’i nënshtrohen Vettingut edhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore