Kulturë

Shpjegim për filmat e kohës së komunizmit


Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) dhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kanë ndërmarrë në muajin shkurt një nismë, për kinematografinë gjatë regjimit komunist.

Filmat shqiptarë nuk do të shihen vetëm në anën artistike, tashmë do të shoqërohen edhe me një shpjegim për kontekstin e realizimit.

AIDSSH-ja do të mundësojë hapjen e shumë dosjeve për personazhe, të cilët, në filmat e prodhuar gjatë komunizmit, janë deformuar.

Disa prej tyre janë cilësuar si “sabotatorë” apo “armiqtë e popullit”.

Këto vepra vazhdojnë të shfaqen në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH).

Gentjana Sulaj, drejtoresha e AIDSSH-së, më herët ka treguar edhe rastin e familjeve që ishin prekur nga mënyra sesi të afërmit e tyre ishin trajtuar në film.

“Është e rëndësishme që e shkuara të trajtohet në mënyrë multidisiplinore dhe ka ardhur koha që kinematografia dhe të gjitha proceset e lidhura me të gjatë viteve të regjimit komunist të shihen me transparencë”, u shpreh Iris Elezi, drejtoresha e AQSHF-së, në fjalën e saj.

Nuk është bërë e ditur sesi do të kryhet ky proces konkretisht dhe se sa filma do të përfshihen në të.

Filmat e parë që do të kenë shpjegimin

Por, karakteret e para që do të trajtohen, bazuar te dokumentet e të dy nismëtareve, janë të dënuarit e Kënetës së Maliqit, (Vitet e para).

Filmi “Vitet e para” trajton problemin e tharjes së kënetës së Maliqit në rrethin e Korçës. Në vepër cilësohet si “konflikt midis sabotatorëve që pengojnë tharjen e kësaj kënete dhe ndërtueseve që punojnë me vetëmohim për realizimin e kësaj vepre të madhe”.

Një ngjarje e rëndë dhe kriminale është konsideruar dënimi i inxhinierëve që punonin në tharjen e kënetës së Maliqit, që përfundoi me ekzekutimin e katër inxhinierëve dhe kryeinxhinierëve e një gruaje shtatzënë, më 19 nëntor 1946.

“Ne kërkojmë zbërthimin kritik të filmave që ndërtuan realitete të dyfishta, duke e shtrembëruar faktin historik dhe cenuar jetët dhe personalitetet e personave të kthyer në personazhe kryesore apo dytësore, të fyer, përçmuar, përbuzur dhe trajtuar me mllef në vetë të parë”, ishte analiza e dy autoriteteve pjesëmarrëse.

Familjarët e filmit “Prefekti”, i cili vë në lojë figurat e Qazim, Hajrije dhe Reshit Mulletit, kanë bërë gjithashtu një kërkesë për rishikim.

Në këtë film, të cilësuar komedi, shfaqen dy realitete të ndryshme. Ai i pari që vë në lojë dhe përqesh figura të tilla, dhe ai i dyti, që është historia e vërtetë e përndjekjes së tyre me internim në Tepelenë.

Sipas përfaqësuesve të kësaj nisme, ky proces kërkon shumë punë, sepse do të duhet të studiohen të gjitha dosjet.

Ajo çka bie në sy është mungesa e RTSH-së në këtë nismë, duke qenë se është edhe “ekrani parësor” ku shfaqen këto filma.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore