Lajme

Shpërthimi në Stamboll, Bullgaria arreston 5 shtetas


Institucionet e drejtësisë në Bullgari kanë akuzuar pesë persona se kanë lidhje me një shpërthim të nodhur në qendër të Stambollit më 13 nëntor ku u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 80 të tjerë.

Tre burra me origjinë moldave, një burrë dhe një grua me origjinë kurde siriane u arrestuan nga forcat e policisë speciale bullgare në fillim të kësaj jave.

Kryeprokurori Ivan Geshev tha se të dyshuarit akuzoheshin për “mbështetje të akteve terroriste në një vend tjetër” dhe “trafikim njerëzor”.

Ai shtoi se, prokurorët turq kishin kërkuar që disa nga të dyshuarit të ekstradoheshin.

Siika Mileva, zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, u shpreh se të dyshuarit akuzohen se kanë ofruar “ndihmë logjistike” për të ndihmuar një nga personat e përfshirë në bombardimin të ikë.

Çfarë tjetër ka ndodhur në hetime?

Agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë, “Anadolu” raportoi se policia kundër terrorizmit të shtunën kishte arrestuar tetë persona të tjerë të dyshuar se kishin ndihmuar ata që kryen shpërthimin.

Të premten, një gjykatë turke urdhëroi ndalimin e 17 personave të dyshuar për përfshirje në shpërthim.

Të 17 të dyshuarit akuzohen për tentativa kundër unitetit të shtetit, vrasje të qëllimshme dhe tentativa për vrasje.

“Anadolu” tha se gjykata liroi tre të dyshuar nga paraburgimi në pritje të gjykimit dhe urdhëroi dëbimin e 29 personave që u arrestuan nga policia.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Qeveria turke ka fajësuar militantët nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe degën e saj siriane, Njësitë e Mbrojtjes Popullore.

Të dyja grupet kanë mohuar përfshirjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore