Bota

Shpërthimi në Nashville: Terrorizëm, psikozë apo neglizhencë?


Anthony Quinn Warner tronditi gjithë Amerikën me shpërthimin që shkaktoi në Nashville mëngjesin e Krishtlindjes, ku mbeti vetë i vrarë, plagosi tre të tjerë dhe dëmtoi dhjetëra ndërtesa. Ndërkohë që ngjarja është zbardhur, vetëm një pyetje ka mbetur pa përgjigje: Pse?

Policia ka grumbulluar disa informacione nga persona të ndryshëm mbi profilin e Warner-it. Nga të gjithë ai përshkruhet si një njeri vetmitar. Por, arsyet e kryerjes së aktit, nuk arrin t’i shpjegojë asnjë.

Ndër hipotezat e para ka qenë një mllef që Warner ka pasur ndaj teknologjisë 5G. Ndërkohë, nga dëshmitë e njerëzve të njohur, zbulohet se Warner mund të ketë vite që e mendon ngjarjen. Të hidhemi pas në kohë.

Dëshmia e ish-partneres

Një ish-partnere e Warner, në gusht 2019, njoftoi policinë se ai po ndërtonte bomba në rulotin e tij. Pavarësisht kësaj, raportet e policisë tregojnë se efektivët nuk shkuan kurrë të verifikonin. Madje u bë publik vetëm të martën, katër ditë pas ngjarjes.

Por një raport tjetër i vitit 2019, tregon se policia shkoi të kontaktonte me Warner, por nuk mori asnjë përgjigje. Kështu ata e lanë çështjen me aq.

Nga zyra e Byrosë së Hetimit në Tennesee, bëhet me dije se Warner nuk ka qenë kurrë në radarin e policisë. I vetmi ndalim i tij ka qenë në vitin 1978 për konsumim marijuane.

Asnjë dyshim nga jeta e përditshme

Një nga fqinjët e Warner, Rick Laude, ishte ndër të parët e intervistuar nga The Associated Press (AP). Pesë ditë përpara shpërthimit, ai kishte parë Warner-in teksa qëndronte në oborr.

Laude kishte ndaluar makinën për t’i folur. Biseda kishte qenë mëse normale. Në fund Laude me shaka e kishte pyetur nëse babagjyshi do i sillte diçka të mirë Warner-it këtë vit.

“Oh, po, Nashville dhe bota nuk do të më harrojnë më kurrë”, ishte përgjigju Warner duke buzëqeshur.

Laude tha për median se atë ditë ai mendonte se Warner i referohej “diçkaje të mirë” që do të vinte në jetën e tij. “Asgjë nuk linte vend për dyshim tek ai njeri”, theksoi Laude.

Terrorizëm apo psikozë?

Një pyetje qarkullon prej kohësh në SHBA: A janë sulmet në masë terroriste?

Debati botëror, por specifikisht ai amerikan, kërkon të gjejë lidhjen midis sulmeve masive, lejimit të mbajtjes së armëve dhe mangësisë që ka trajtimi i shëndetit mendor sot në SHBA.

Të gjitha këto, të kombinuara me një jetë që sa vjen e bëhet më e vetmuar. Me probleme sociale të thella. Me individë që lihen pas dore nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Agjenti special i FBI-së, Douglas Korneski, ka anashkaluar çdo koment mbi hamendësimet se sulmi mund të jetë akt terrorist.

Dyshime janë hedhur dhe mbi shëndetin mendor të Warner-it, por nuk ka asnjë të dhënë mbi probleme të mundshme që ai mund të ketë pasur.

Gjithsesi, qëndron fakti se ditët përpara shpërthimit, Warner kishte dhuruar gjithçka. Shtëpinë e tij, makinën, pa asnjë pagesë në këmbim, Këto detaje sugjestionojnë se qëllimi i tij ishte të vdiste në atë shpërthim.

Kompjuteri i tij personal është gjetur dhe po shihet për të dhëna aty. Gjithashtu të tjerë persona të afërt po intervistohen. Po shihen dhe transaksionet e fundit që Warner ka kryer, për të parë nëse ka blerje materialesh për ndërtimin e bombave.

Amerika ka pësuar një valë sulmesh të ngjashme gjatë viteve të fundit. Raste të shumta ka pasur me vrasje masive në shkolla. Këto kanë qenë të kryera nga individë, të cilët herë janë atashuar me probleme mendore, herë me terrorizmin.

Edhe vetë çështja e terrorizmit të brendshëm në SHBA mbetet e paqartë. Kush do të quhet terrorist? Pse do të quhet? Çfarë kushtesh duhet të plotësojë që të quhet?

Me këto detaje që policia ka në dorë deri tani, duhet ende kohë të zbulohet nëse rasti i Warner-it është terrorizëm, psikozë apo thjeshtë neglizhencë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore